Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator të këtij viti, të cilat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 43.1% në muajin shtator 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 351.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin 245.5 milionë eurosh në vitin 2020.
Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 16.5%.
“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2021 kishte vlerën 69.3 milion euro, ndërsa importi 420.6 milion euro, që është një rritje prej 66.2% për eksport dhe 46.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 29.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 24.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet bimore; 7.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 13.1% e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj”.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milion Euro, ose rreth 28.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.6%), Italia (5.8%), Holanda (2.4%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 158.0 milion Euro, ose 37.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.4%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.0%), Italia (3.9%), etj. Në muajin shtator 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 23.4 milion Euro, ose 33.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14.2%), Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (4.8%), dhe Mali i Zi (3.0%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin shtator 2021 arritën në 78.8 milion Euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.2%), Serbia (6.0%), dhe Maqedonia e Veriut (5.0%)”, thuhet në njoftim.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.5 milion ëuro, ose 38.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA me 19.2% dhe Zvicra me 6.6%.
“Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 183.8 milion Euro, ose 43.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.0%) dhe SHBA (10.9%)”, thuhet në njoftim.