Tuesday, November 26, 2024
HomeBotaVlerësohet i dëmshëm për Kosovën vazhdimi i status quo-së për dialogun Prishtinë-Beograd

Vlerësohet i dëmshëm për Kosovën vazhdimi i status quo-së për dialogun Prishtinë-Beograd

Vazhdimi i status quo-së në dialogun Kosovë-Serbi është i dëmshëm për Kosovën dhe mungesa e një marrëveshje finale po e pengon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.

Këto ishin ndër thekset kryesore të konferencës së sotme të KDI-së për ndikimin e dialogut në politikën e jashtme të Kosovës.

Pavarësisht kësaj, deputetja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli tha se arritja e një marrëveshje me njohje reciproke, në kufijtë aktual nuk varet vetëm prej Kosovës.

“Qasja është që të arrijmë një njohje reciproke me Serbinë, ku ruhet tërësia territoriale. Suksesi i dialogut nuk varet vetëm prej Kosovës”, tha ai.

Të nevojshëm dialogun me Serbinë po e sheh edhe nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, e cila tregoi pozicionin e partisë opozitare për këtë proces.

“Dialogun e shohim të nevojshëm për të sjell paqe dhe stabilitet në rajon. Dialogu duhet të sjell një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kufijtë aktual dhe duke respektuar kushtetutshmërinë e vendit. Status quo-ja nuk është e mirë për Kosovën, nuk kemi liberalizim të vizave, mungesa e marrëveshjes finale po pengon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së Bernard Nikaj, tha se politika e jashtme e Kosovës është e ndërlidhur me dialogun.

“Dialogu deri tani ka qenë pjesë e pandashme të rrugës sonë drejtë BE-së. Politika jonë e jashtme gjithmonë ka qenë e ndërlidhur me dialogun me Serbinë. Sot ne jemi në një moment kur duhet të definojmë një konsenus se cila është objektiva jonë në dialog dhe ka po shkon ky proces”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments