Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka folur për rezultatin e këtij subjekti politik të arritur më 17 tetor.
Ai ka thënë se janë duke punuar në Prishtinë për të parë shkakun se pse Arben Vitia nuk fitoi pa balotazh.
“Në Prishtinë gara ka qenë fer dhe korrekte, garë ku është bërë fushatë me qytetarin, qytetar ka vlerësuar secilin për projektin që ka dhënë. Nga kjo duhet të marrim mesazh dhe duhet të organizohemi për ofertë më të mirë që të kemi rezultat më të mirë më 14 nëntor”, është shprehur Rrahmani.
Sa i përket Mitrovicës së Jugut, ku Agim Bahtiri i humbi zgjedhjet që në raundin e parë, Rrahmani thotë se qytetarët vlerësuan një program tjetër.
“Në Mitrovicë qytetarët e kanë pasur të qartë qeverisjen e Bahtirit dhe vlerësimi i tyre ka qenë që duhet të ketë një qeverisje tjetër dhe kanë zgjedh një program tjetër. Bahtiri dhe LVV nuk kanë arritur t’i bindin qytetarët që programi i tyre nuk është më i miri për ata. Kjo është demokracia, vlerësimi vjen direkt nga qytetarët”.
Për Podujevën dhe Shpejtim Bulliqin ai thotë se nuk fituan pa balotazh për shkak se për dallim prej një viti më parë këtë herë në garë kishte më shumë se dy kandidatë.
Kurse për Prizrenin dhe Mytaher Haskukën ka thënë se edhe katër vjet më parë ka qenë i dyti, por që pas balotazhit ka fituar garën për kryetar komune.