Sot do të mbahet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.
Ndërkaq zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar për T7 se grupi punues ka për qëllim që të gjejë një gjetje të përhershme për çështjen e targave.
“Takimi i parë i grupit punues për targat e veturave me ekspertët nga të dyja palët do të zhvillohet më 21 tetor. Grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje”, ka deklaruar Stano.
Stano shtoi se grupi punues i ekspertëve pritet të takohet rregullisht.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e etiketave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.