Skuadra e Trepçës ka shënuar fitore në xhiron e shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll që ka nisur të mërkurën.
Trepça e ka mposhtur me rezultat bindës në udhëtim skuadrën e Rahovecit. Dueli i luajtur në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ka përfunduar me rezultatin 103:75 në favor të ekipit nga Mitrovica.
Për Trepçën, kjo është fitorja e pestë këtë edicion, e cila e ngrit në kuotën e 11 pikëve. Ndërsa, Rahoveci regjistroi humbjen e pestë rresht dhe të gjashtën në total këtë edicion.
Drilon Hajrizi me 24 pikë të shënuara e ka udhëhequr Trepçën drejt këtij triumfi, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Taurus Cockfield (20) e Armin Hot që pati 19 pikë e dhjetë asistime.
Te Rahoveci, më efikasi ishte amerikani Nick Banyard me 21 pikë të shënuara, i përcjellë nga Altin Morina që krahas 16 pikëve, i pati edhe tetë asistime e katër kërcime.