Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaSHBA dhe BE mbështesin Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe...

SHBA dhe BE mbështesin Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara “janë pajtuar për të forcuar angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të progresit të rajonit në rrugëtimin evropian”.

Kështu është thënë në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe BE-së, të publikuar më 20 tetor.

Deklarata është publikuar një ditë pasi Komisioni Evropian ka miratuar paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e rajonit të përfshira në këtë proces.

“Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, prioritet i deklaruar i tërë Ballkanit Perendimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit. Ky rajon i takon Bashkimit Evropian. Integrimi më i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribojë në prosperitetin e njerëzve në rajon. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”, është thënë në deklaratën e përbashkët, transmeton REL.

Në veçanti në këtë deklaratë përmenden edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, vende ku ka pasur tensione në muajt e fundit.

BE-ja dhe SHBA-ja mbështesin veprimet e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe inkurajojnë palët që të angazhohen për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi.

“Ne nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili është mekanizmi kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas tensioneve të javëve të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një shtensionim të qëndrueshëm dhe të evitojnë veprimet, të cilat kërcënojnë stabilitetin”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”.

Deklarata e përbashkët ka ardhur disa ditë pasi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka konsideruar të njëanshëm aksionin e Policisë së Kosovës për luftim të kontrabandës në disa qytete të Kosovës, përfshirë veriun.

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian përsërisin mbështetjen e plotë për integritetin territorial sikur edhe përpjekjet për të promovuar reformat kushtetuese dhe zgjedhore dhe ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve shtetërore.

“Jemi seriozisht të shqetësuar për shkak të rritjes së retorikës përçarëse në Bosnje e Hercegovinë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv, dhe të ndërmarrin hapa për të avancuar përparimin në rrugën e integrimeve evropiane, përfshirë edhe përmes reformave relevante. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të ndihmojnë në këtë drejtim”, është theksuar në deklaratë.

BE dhe SHBA u kanë bërë thirrje edhe të gjitha forcave politike në Mal të Zi që të punojnë së bashku për të mbajtur dhe forcuar orientimin strategjik, i cili reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi, që të bëjë reforma përmes së cilave shpresa për një të ardhme në BE të bëhet realitet.

Kohëve të fundit është rritur angazhimi i Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perendimor.

Në të njëjtën kohë, nga të dyja anët e Atlantikut janë shtuar edhe thirrjet që BE-ja dhe SHBA-ja të veprojnë së bashku në këtë rajon, në mënyrë që të zgjidhen problemet kryesore, që mund të kenë potencial për tensionime të reja.

Ditë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka zhvilluar një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe mes tjerash kanë diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments