Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore ka mbajtur takimin konsultativ të nivelit të lartë “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) COVID-19” me akterë institucionalë, ekspertë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Në këtë takim ka marrë pjesë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe përfaqësues nga institucione dhe organizata të tjera në vend.
Në hapje të ngjarjes, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore ka theksuar se si Agjenci kanë marrë veprime të shpejta lidhur me vlerësimin e pasojave të pandemisë me ndikim në zvogëlim të dhunës.“Kemi mbështetur 24 organizata të grave në vlerë prej 630 mijë euro. Janë organizata të cilat zbatojnë iniciativa në fushën e përmirësimit të mundësive të punësimit të grave përmes skemave të mbështetjes së biznesit. Po ashtu kemi mbështetur edhe 270 biznese të vogla të grave. ABGJ mirëpret thellimin dhe bashkëpunimin me organizata e grave”.
Ndërsa, Luljeta Demolli, Drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është manifestim i pabarazisë gjinore.“Kosova ka krijuar një varg mekanizmash dhe ligjesh për ta trajtuar dhunën ndaj grave. Megjithatë, në shumë raste – mungon zbatimi praktik. Është me rëndësi jetike që luftimi i dhunës të jetë prioritet i institucioneve dhe çdo sfidë të përcillet me orientimet normative të Konventës së Stambollit”, është shprehur Demolli.
“Pabarazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë dy anë të së njëjtës medalje. Ne duhet t’i luftojmë njëkohësisht, në mënyrë të barabartë dhe me të njëjtin përkushtim. Ne kemi nevojë për më shumë gra police, prokurore dhe gjyqtare, sepse e dimë që gratë të cilat shërbejnë në vijën e parë të drejtësisë e forcojnë drejtësinë për gratë. Ne e mbështesim fuqizimin e mirëfilltë ekonomik si një ndër strategjitë më efikase parandaluese”.
Duke folur për dhunën ndaj grave dhe vajzave, Kryeministri Albin Kurti, tha se “ Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, tha Kurti
“Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave”, shtoi ai.
Kryeministri falënderoi të gjithë që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë.
“Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme”, tha ai, duke theksuar se detyra e shoqërisë e veçanërisht Qeverisë është që të garantojnë një ambient të sigurtë e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.
Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se nga janari i vitit 2021 deri në tetor janë rreth dy mijë raste të raportuara të dhunës në familje. “Zhvillimi ekonomik edhe drejtësia janë thelbësore për të adresuar dhe zvogëluar këto raste. Jemi duke punuar si qeveri për hapjen e vendeve të reja të punës. 14 përqind e grave janë të përfshira në tregun e punës dhe këtu bëhet fjalë për përjashtim, jo për mospërfshirje. Sundimi i ligjit është kyç për parandalimin e këtyre rasteve. Kundër dhunës në familje duhet të flasim fuqishëm sepse Kosova po kanoset prej kësaj”, ka pohuar Haxhiu.