Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, thotë se Raporti i Komisionit Evropian flet për procesin e Vettingut që ende nuk ka nisur në Kosovë e pikërisht për këtë nuk e sheh si problem
“Nuk shoh problem në procesin e Vettingut sepse këtë proces nuk e kemi filluar akoma. Nëse lexojmë Raportin e Progresit aty evidentohet se Kosova është në fazë të hershme drejtë zhvillimit të një sistemi drejtësie funksional. Raporti evidenton që administrimi i drejtësisë në Republikën e Kosovës është i ngadalshëm, jo efikas dhe i ndikueshëm nga faktorët e jashtëm përfshirë politikën”.
Shala në “Info Magazine” thotë se në raport kërkohet krijimi i menjëhershëm i Vettingut e kjo do të pamundësonte arritjen e rezultateve që priten dhe duhen nga Vettingu.
“Mekanizmi i Vettingut është çelësi për të garantuar që të kemi një gjyqësor të drejtë, efikas dhe të pandikueshëm. Shqetësimi që adresohet në Raportin e Progresit është lidhur me një proces Vettingu të menjëhershëm e që është shqetësim që e ndajmë edhe ne si Ministri e Drejtësisë dhe grupi punues. Në asnjë pjesë të rekomandimit që është miratuar në Qeveri nuk referohet vetëm një Vetting i menjëhershëm por referohet edhe krijimi i mekanizmave të cilët do të garantojnë Vetting të vazhdueshëm brenda këshillave të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial”.
“Mekanizmi i Vettingut nuk është i thjeshtë dhe na duhet shumë punë për të arritur suksesin që dëshirojmë të arrijmë. Me një Vetting të menjëhershëm nuk arrihen rezultatet që duam të arrihen”, deklaroi Shala.