Opozitari i burgosur rus, Alexei Navalny, kritiku kryesor i Putinit, është shpërblyer të mërkurën me çmimin më të lartë të BE-së për të drejtat e njeriut, Çmimin Saharov.
Në një shenjë të kritikës së hapur ndaj Kremlinit, udhëheqësit e Parlamentit Evropian e zgjodhën politikanin e njohur rus për t’ia dhënë çmimin e njohur. Në mesine kandidatëve tjerë ishin një grup i grave afgane dhe ish-presidentja e përkohshme e Bolivisë, Jeanine Anez.
Grupi i partive kristian-demokrate në Parlamentin Evropian e bënë të ditur lajmin në Tëitter. “Z.Putin, liroje Alexei Navalny-n. Evropa bën thirrje për lirinë e tij dhe të gjithë të burgosurve tjerë politikë”, thuhet në postim.
Dhënia e këtij çmimi Navalny-t pritet të përbëjë përkeqësim të ri të raporteve mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Raportet mes dy fuqive kanë qenë edhe ashtu në rënie prej vitit 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina.
Vitin e kaluar, BE-ja vendosi sanksione kundër gjashtë zyrtarëve të lartë rusë nën dyshimin për përfshirjen e tyre në helmimin e Navalny-t. Rusia ka mohuar se është e përfshirë në helmimin e politikanit, shkruan Independent.
Zyrtarisht, çmimi Navalny-t do t’i ndahet më 15 dhjetor në një seancë të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës. Shpërblimi financiar për fituesin e çmimit është 50.000 euro.
Ndryshe, Çmimi Saharov më 1991 i është dhënë figurës së njohur të rezistencës në Kosovë, Adem Demaçit, ndërsa në vitin 1998 edhe presidentit historik, Ibrahim Rugovës.