Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaKQZ: Të enjten dihet nëse do të ketë rinumërim të ndonjë vendvotimi

KQZ: Të enjten dihet nëse do të ketë rinumërim të ndonjë vendvotimi

Të enjten do të dihet nëse do të ketë nevojë të bëhet rinumërimi i ndonjë vendvotimi të Zgjedhjeve Lokale të cilat u mbajtën para tri ditësh.

 

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencën e rregullt nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ku ka njoftuar për aktivitetet që janë duke u zhvilluar në këtë qendër.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna në tri ndërrime, me qëllim të arritjes së afateve ligjore, për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili duhet të mbahet 4 javë pas ditës së zgjedhjeve, pra më 14 nëntor. Të enjten, KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës për të shqyrtuar raportin që del nga QNR-ja pas përfundimit të procesit të hetimit dhe verifikimit të atyre vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, pasi është vërejtur ndonjë parregullsi e çfarëdo natyre. Pas rekomandimit nga QNR, KQZ-ja do të vendos nëse është e nevojshme të bëhet rinumërimi i ndonjë vendvotimi, me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda një kutie votimi”, tha Elezi.

Ai tregoi se në këtë qendër është duke u bërë edhe snakimi i listës përfundimtare të votuesve, që sipas tij është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krahasohen pjesëmarrësit në votim në vendvotimet e rregullta me personat që votuan me kusht.

Kjo procedurë, sipas KQZ-së, bën të mundur identifikimin e rasteve nëse një person ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt, por edhe atë me kusht.

Elezi ka njoftuar edhe se ky institucion “me qëllim të rritjes së transparancës për procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve të cilët janë plotësuar në vendvotime, më 17 tetor, pas numërimit të fletëvotimeve.

“Si procedurë, këta formularë, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqen e KQZ-së. Formularët e publikuar janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin që ka arritur në çdo vendvotim. Ky publikim është në proces e sipër dhe duhet ta sqarojmë se kjo nuk është një shpallje e rezultateve përfundimtare, por bëhet me qëllim të rritjes së transparencës në procesin zgjedhor dhe për t’i ndihmuar kandidatët që të shohin formularët përmes telefonit të tyre”, tha Elezi.

Ai bëri të ditur se KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion.

“KQZ-ja është në pritje të vendimmarrjes nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat që janë parashtruar në këtë institucion. Siç e dini, afati ligjor për vendosjen lidhur me këto ankesa përfundon të enjten”, tha ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments