Kurti ka dënuar ashpër incidentin e fundit në Trepçë ku Abdurrahmani është sulmuar në vendin e tij të punës dhe të dyshuar për rastin janë punonjës të kësaj ndërmarrjeje.
Ai mbështeti u.d e kryeshefit të “Trepçës” Enis Abdurrahmani duke thënë se “s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti”
“U njoftova hollësisht mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen keq se çfarë ka ndodhur. Sulm i organizuar i dhunshëm mbi udhëheqjen. E dënojmë ashpër këtë sulm të tillë që është i drejtuar kundër Trepçës dhe s’është në të mirë të Kosovës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata që synojnë të jenë më të fuqishëm, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë. Jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit është Enis Abdurrahmani dhe e ka mbështetjen time të plotë bashkë me Bahriun që është kryesues i Bordit këtu.
Këshilli grevist ka bërë kërkesë që ata që e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve që s’dihet krejt kush janë, që këta që i kanë paraqitur deklaratat në polici të tërheqin ato. S’u ka mjaftuar që e kanë sulmuar, por kërkojnë që tash këta të tërheqin deklaratën që e kanë pësuar dhunën. Kjo është e pashembullt dhe s’do të ndodhë. Edhe bordi aktual edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit e kanë mbështetjen e plotë tonën. Edhe punëtorët e kanë mbështetjen e plotë, por ne i ftojmë të mos bien pre e një këshilli grevist që kërkon që të tërhiqen deklaratat në Polici”, tha ai