Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin e se publikimi i formularëve bëhet me qëllim që të rritet transparenca e procesit zgjedhor.
Ky publikim është në proces dhe deri më tani janë publikuar formularët e rezultateve nga disa komuna, derisa do të vazhdohet me publikimin sapo të njëjtit të jenë të gatshëm.
Ai sqaroi po ashtu se këto formularë nuk janë shpallje e rezultatit përfundimtar.
“Ky publikim bëhet me qëllim të rritjes së transparencës për procesin zgjedhor dhe nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare”, tha Elezi.
Siç njoftoi Elezi, formularët skanohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në faqen zyrtare të KQZ-së.
“Formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve, nga të dy llojet e zgjedhjeve, skanohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve dhe pastaj ngarkohen në ueb faqe të KQZ-së”.
Në këtë mënyrë të gjithë kandidatët e interesuar kanë qasje për të parë rezultatin në secilin vendvotim.
“Këta formularë janë kopje e formularëve të plotësuar në vendvotime dhe çdo kandidat i interesuar mund t’i shfletojë për ta parë rezultatin e tij që ka arritur në secilin vendvotim”, tha ai.
Formularët mund t’i gjeni duke klikuar në këtë LINK.
Ndryshe, numërimi i votave pritet të përfundojë gjatë kësaj javë, ndërkaq që KQZ-së i duhen edhe disa ditë të tjera për të shpallur rezultatet dhe për të certifikuar zgjedhjet.