Një gjykatë në Teksas të ShBA-së shpalli fajtor një infermier për vrasjen e katër pacientëve duke u injektuar ajër në arterie.
William George Davis u akuzua për injektimin e ajrit në arteriet e pacientëve John Lafferty, Ronald Clard, Christopher Greenway dhe Joseph Kalina më 2017 dhe 2018, kur ata po shëroheshin nga operacionet në zemër në spitalin “Christus Trinity Mother Frances” në qytetin Tyler. Pacientët pësuan probleme neurologjike gjatë qëndrimit në spital dhe vdiqën.
Davis, 37 vjeç, ishte shkarkuar nga puna në spital në vitin 2018, ku kishte punuar si infermier për pesë vjet. Ai ishte arrestuar në të njëjtin vit nën akuzën për vrasje dhe sulm, shkruan Independent, transmeton Gazeta Express.
Gjatë procesit gjyqësor, pulmologu William Yarbrough dëshmoi kundër infermierit dhe i përjashtoi problemet me shtypje të gjakut ose çështjet tjera si shkaktarë të mundshëm të vdekjes së pacientëve. Ai tha se skanimet e trurit të pacientëve kanë shfaqur ajër në sistemin arterial, diçka që ai nuk e kishte parë kurrë më parë në karrierën e tij. Kjo shkaktoi lëndime në tru dhe vdekje të pacientëve.
Faza e caktimit të dënimit në këtë rast pritet të fillojë të mërkurën, kur prokurorët planifikojnë të kërkojnë dënim me vdekje për infermierin tashmë të shpallur fajtor