Vëzhguesit e Bashkimit Evropian kanë dërguar sot raportin preliminaar për zgjedhjet e 17 tetorit, ku ndër të tjerash është përmendur edhe vendimi i presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Në raportin e lëshuar nga vëzhguesit e BE-së, thuhet se vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës nuk ka qenë i mbështetur në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se kjo parti ka provuar që një kohë të gjatë që të mbledhë nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës.
“Siç e dini edhe ju PDK-ja ka provuar që një kohë të gjatë që të mbledhë nënshkrimet për ta dërguar këtë vendim në Kushtetuese. Kjo e dëshmon edhe një herë atë që ka thënë Partia Demokratike që zonja Osmani për t’i shërbyer Albin Kurtit e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, gjithashtu për qëllime të pushtetit”, ka thënë Gjoshi.
I pyetur nëse PDK-ja do të ishte e gatshme edhe pas raportit të vëzhguesit së BE-së që ta dërgonte në Kushtetuese vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës, Gjoshi ka thënë se kjo parti është gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe Ligjit.
Në anën tjetër, Gjoshi ka folur edhe për bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të mbledhur nënshkrimit që vendimi i Osmanit për Dakën të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ku ka thënë se në kohën që kanë komunikuar me LDK-në, kjo e fundit nuk ka qenë e gatshme për mbledhjen e nënshkrimeve.
“Në kohën kur kemi biseduar me LDK-në kemi parë se nuk ka pasur ndonjë gatishmëri, për shkak të paqartësive të brendshme që ka pasur në atë kohë Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Gjoshi.
Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me disa deputetë dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashin, për të marrë një përgjigje rreth gatishmërisë së tyre për të mbledhur nënshkrimet që vendimin e Osmanit për shkarkimin e Dakës ta dërgojnë në Kushtetuese, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë se në një prononcim për lajmi.net në shtator të këtij viti, Arben Gashi kishte deklaruar se LDK-ja nuk ka thënë se do ta dërgojë në Kushtetuese çështjen e shkarkimit të Valdete Dakës, por që kjo parti ka deklaruar se Avokati i Popullit dhe vetë Daka duhet ta trajtojnë vendimin e Osmanit dhe ta dërgojnë në Kushtetuese.