Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar komandantin e ri të KFOR-it, Ferenc Kajari.
Ai i uroi suksese Gjeneral Majorit në detyrën e re dhe shprehu mirënjohjen për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
U bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, të komunikimit të ndërsjelltë dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Komunikimi i afërt dhe koordinimi ndërinstitucional u cilësua si domosdoshmëri për garantimin e sigurisë në vend, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovë dhe KFOR-it.
Gjatë takimit, Gjeneral Major Kajári gjithashtu e uroi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për organizimin e mirëfilltë të zgjedhjeve lokale.