Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot është dëgjuar dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Dëshmitarja, që është hetuese në ZPS, ka folur për pakot me dokumente që janë konfiskuar një vit më parë në zyrat e OVL-UÇK-së, duke theksuar se dokumentet e paketës 3 kishin të shënuar që janë konfidenciale dhe mbanin logon e ZPS-së. Ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se dëshmitarja nuk është e përfshirë në asnjë prej ngjarjeve për të cilat ka dëshmuar.
Dëshmitarja Zenka Pumper, ndër të tjera ka thënë se ZPS ka pranuar disa email nga media në Kosovë dhe Shqipëri, lidhur me rrjedhjen e dokumenteve, të cilat ka theksuar se kanë qenë të përcjella me fotografi.
Në pjesën e fundit të seancës ajo ka folur për pakon me numër 2, pakon 3 dhe 4. Ajo ka thënë se pako 2 është sekuestruar më 17 shtator të vitit 2020. Sipas saj, formularin e dorëzimit të dokumenteve me këtë datë e ka nënshkruar ish-kreu i OVL-UÇK, Hysni Gucati.
“Në bazë të këtij paragrafi këtu thuhet se zoti Hysni Gucati ka nënshkruar në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Paketa 2 përbëhej nga dy kategori në fakt, me përjashtim të pak dokumenteve, në përgjithësi ishin vendime gjykatash në çështje të ndryshme gjyqësore, ka edhe disa dokumente që bëjnë pjesë edhe në paketën 1, më duket pesë ose gjashtë”, ka thënë dëshmitarja.
Ndërsa pakon me numër 3, ajo ka thënë se e ka ndarë në dy grupe, meqë sipas saj, në OVL-UÇK kanë marrë dy kopje të të njëjtit dokument.
“Ishte një përshkrim i ZPS-së për provat e mbledhura në qendrat e ndalimit. Njëri (grup) përmbante 224 dhe tjetri 245 faqe në gjuhën angleze”, ka thënë ajo.
Dëshmitarja ka shtuar se pjesa më e madhe e faqeve kanë pasur të shënuar fjalën ‘konfidenciale’ dhe shenjën e ZPS-së të vendosur.
Ndërsa mbrojtja e Nasim Haradinajt, me autorizimin e këtij të fundit, ka shprehur shqetësime lidhur me deklarimet e dëshmitares. Sipas tyre, Pumper po dëshmon për çështja jashtë njohurive të saj.
“Haradinaj dëshiron që unë të ritheksoj faktin se ai ka shqetësime reale, që është ngritur përpara nga mbrojtja, ai më kërkoi të ritheksoj që dëshmitarja që është dëgjuar sot po dëshmon për çështja të cilat qëndrojnë jashtë njohurive të saj, ajo nuk është e përfshirë në asnjë prej ngjarjeve për të cilat ka dhënë dëshmi sot, thjesht desha ta ritheksoj edhe këtë pikë siç më është bërë e ditur nga zotëri Haradinaj”, ka thënë Cadman.
Mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt ka pasur kundërshtime gjatë pyetjeve që prokurorja Valeria Bolici i bëri dëshmitares.
Zenka Pumper ka dëshmuar për procedurat e punës në Zyrën e Prokurorit të specializuar, por ka thënë se ka qenë e përfshirë në një punë të konsiderueshme lidhur me çështjen OVL-UÇK.
Gjatë kësaj seance, dëshmitarja ka thënë se ka analizuar e shikuar artikuj të mediave nga burime publike lidhur me çështjen e OVL-UÇK dhe ka shtuar që ka përgatitur deklarata me shkrim lidhur me detyrat që ka kryer në këtë rast.
Prokurorja i ka paraqitur disa dokumente dëshmitares, për të cilat kjo e fundit ka konfirmuar se i ka shkruar. Të njëjtat nuk janë bërë të ditura për publikun.
Prokurorja Valeria Bolici ka kërkuar nga trupi gjykues që të regjistrohen si prova materiale dokumentet që dëshmitarja i konfirmoi si të vërteta.
Dëgjimi i dëshmitares Zenka Pumper do të vazhdojë nesër.
Ish-krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako me dokumente të pretenduara se kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë, prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.