Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të djeshme lokale në Kosovë por gjithashtu ka folur edhe për rezultatin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, duke komentuar mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Kurti ka thënë se Kosova ka dhënë shembull për demokracinë dhe organizimin e procesit zgjedhor, madje këtë e ka krahasuar edhe me suksesin e vajzave të Kosovës në xhudo.
“Si kryeministër i Kosovës jam krenar që kishim miq nga BE që vëzhguan edhe demokracinë tonë që mund të shërbejë si shembull për vendet e rajonit dhe jo vetëm. Ata panë që përveç xhudos, filmit dhe programit të vaksinimit, Kosova shkëlqen edhe me organizimin e procesit zgjedhor.”, ka thënë Kurti.
Kurti pavarësisht se VV nuk fitoi në asnjë komunë pa balotazh është shprehur i kënaqur me nivelin e besimit ndaj subjektit të tij politik.
“Si kryetar i LVV jam shumë i kënaqur të shoh kaq shumë kandidatë tanë në balotazh. Njësoj siç jam i kënaqur me nivelin e besimit të dhënë asamblistëve tanë gjithandej Kosovës. Ky është shans që të flasim e diskutojmë me qytetarët e Kosovës se si t’i mbrojmë e avancojmë ta arriturat mbi luftën ndaj korrupsionit.”, tha Kurti.