Qytetarët e Kosovës sot vendosin për kryetarët e ardhshëm të komunave dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale. Për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa sot hapen 883 vendvotime.
Ndërkohë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë certifikuar 89 subjekte politike, prej të cilave janë: 32 parti politike, 1 koalicion, 33 iniciativa qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.
Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;
Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;
Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;
Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;
Pas identifikimit, rivendoseni maskën;
Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimet dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimet në kutitë përkatës;
Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni sërish duart.