Njëmbëdhjetë nxënës janë mbytur dhe dhjetë të tjerë janë shpëtuar gjatë një aksioni për pastrimin e lumit në Javan Perëndimore të Indonezisë, thanë të shtunën zyrtarët e këtij vendi.
Zyrtarët lokalë thanë se 150 nxënës të një shkolle të mesme islame ishin duke marrë pjesë të premten në aksionin për pastrimin e lumit “Cileueur”, kur 21 prej tyre rrëshqitën në ujë.
“Moti ishte i mirë dhe nuk kishte vërshime. Ata fëmijë që u përmbytën ishin duke ia mbajtur dorën njëri-tjetrit. Njëri prej tyre rrëshqiti dhe të tjerët ranë pas tij”, tha Deden Ridwansyah, drejtor i Zyrës së Kërkimshpëtimit në Bandung.
Banorët lokalë dhe një ekip i shpëtimit arritën që të shpëtojnë dhjetë nxënës, të cilët u dërguan në një spital të afërt.
Ishte e qartë se nxënësit nuk kishin jelekë kundër mbytjes në ujë. Sipas disa raportimeve, nxënësit po mundoheshin që ta kapërcenin lumin.
Ndryshe, të reshurat shkaktojnë rrëshqitje dheu e vërshime të shpeshta në Indonezi, ku miliona njerëz jetojnë në zona malore ose afër fushave të rrezikuara nga vërshimet.
Në shkurt të vitit 2020, së paku gjashtë nxënës mbetën të vdekur nga vërshimet. Ata u mbytën në një lumë në distriktin Sleman të provincës Yogyakarta.