Policia australiane tha të shtunën se e ka gjetur dhe konfiskuar sasinë më të madhe të heroinës ndonjëherë në këtë shtet. Vlera e drogës u vlerësua 140 milionë dollarë australianë. Në këtë rast u arrestua një shtetas i Malajzisë.
Pakot me peshë të përgjithshme prej 450 kilogramësh u gjetën në një kontejner mallrash me tjegulla qeramike, të nisura nga Malajzia për një kompani në Melbourne, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet nuk e publikuan emrin e personit të arrestuar, praktikë e zakonshme në Australi derisa policia të mos vlerësojë se identifikimi i të dyshuarit është në interesin e familjes së viktimës ose të publikut.
I arrestuari u akuzua për improtim dhe posedim në tentativë të një sasie komerciale të drogës së kontrolluar në kufi. Policia tha se dënimi më i madh për këto shkelje është burgimi i përjetshëm.
Krissy Barrett nga Policia Federale e Australisë tha se forcat e rendit po bashkëpunojnë me Policinë Mbretërore të Malajzisë. “Ne vazhdojmë të punojmë së bashku për identifikimin dhe pengimin e grupeve të krimit të organizuar ndërkombëtar që synojnë t’i dëmtojnë të dyja vendet tona dhe të sigurojnë përfitime milionëshe nga aktiviteti kriminal”, tha përmes një deklarate zonja Barrett.
Duke u mbështetur në të dhënat se për çdo dy kilogramë heroinë të konsumuar në Australi vdes një person, policia vlerësoi se konfiskimi i drogës së gjetur ua ka shpëtuar jetën hiç më pak se 225 personave.