Rusia të shtunën raportoi rekord të dyfishtë për numrin e viktimave dhe rasteve me Covid-19.
Ky shtet shënoi 1.002 të vdekur nga pandemia për 24 orë. Shifra e re e çoi në 222.315 numrin e përgjithshëm zyrtar të të vdekurve nga koronavirusi në njërin prej shteteve më të prekura në botë.
Përpos rekordit të rasteve fatale, Rusia gjithashtu e shënoi shifrën më të lartë të rasteve – 33.208, duke e çuar në mbi 7 milionë e 985 mijë numrin e përgjithshëm të të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Pavarësisht faktit që Rusia ka shënuar disa herë rekorde të viktimave ditëve të fundit, autoritetet ende nuk kanë vendosur për ndonjë izolim të rreptë mbarëkombëtar, duke ua deleguar kompetencat më tepër organeve lokale.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë thirrje që të zgjerohet fushata e vaksinimit e të rritet numri i të vaksinuarve. Shumë rusë nuk duan të vaksinohen për shkak të mosbesimit ndaj autoriteteve dhe ndaj prodhimeve të reja mjekësore.