Me një fitore eventuale, gjilanasit do ta mbërrinin me pikë në krye të tabelës Ballkanin, me të cilin do të përballen në fundjavë
Pas ndeshjeve të ekipit kombëtar, këtë fundjavë rikthehen ndeshjet e BKT Superligës së Kosovës në futboll.
Dueli kryesor i xhiros së nëntë do të zhvillohet në Anamoravë.
Gjilani do ta sfidojë liderin aktual të ligës elitare, Ballkani.
Me një fitore eventuale, “Skifterat” do ta mbërrinin ekipin therandas në tabelë.
Nga ana tjetër, ekipi Portokalli do të mundohet të nxjerr rezultat pozitiv në udhëtimin e vështirë që do ta ketë.
Prishtina ndërkohë shihet si favorite ndaj Llapit në kryeqytet.
Bardhekaltrit kanë nevojë për fitore për të mbetur në hap me skuadrat lidere.
Nga ana tjetër, llapjanët e kanë nisur mjaft dobët sezonin e ri dhe si rezultat, gjenden në pozitën e fundit në tabelë.
Në duelin tjetër, Dukagjini do ta kërkojë fitoren e dytë sezonale teksa i bën konak Malishevës.
Kjo e fundit i ka befasuar të gjithë pasi një kohë ishte edhe lidere e BKT Superligës.
Për këtë arsye, edhe Malisheva do të mundohet të shkëpusë pikë nga udhëtimi që do ta ketë në Rrafshin e Dukagjinit.
Kjo xhiro ka nisur me dy ndeshjet e sotme.