Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot kanë kaluar pasditen së bashku me kandidatin e kësaj partie për kreytar të Prishtinës, Përparim Rama. Të dy ishin me familjet e tyre.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë disa fotografi ka takimi i tyre së bashku me familjet nga ëmbëltorja e njohur në Prishtinë, nga ku edhe kërkoi që ta votojnë Ramën për të parin e Prishtinës.
“Sot, me Përparimin e familjet tona, kaluam pasditen në Ëmbëltoren ‘Elida’, një ndër vendet më simbolike të Kryeqytetit. Përparimi është me fat për familjen e tij; e Arra, Tigri, Broni, dhe Kristale Rama duhet të mburren me babanë e bashkëshortin që kanë. Të lësh një rehati të tillë për t’i dhënë vendit shërbim është vlerë. Perparim Rama i ka dhënë tashmë Prishtinës idetë e mëdha për të cilat kishim aq shumë nevojë. Për gjithë këta muaj, Prishtina ka gjetur një udhëheqës transformues, një urbanist me vizion e mbi të gjitha një njeri me vlera njerëzore. Këto e gjithçka për çfarë ai qëndron, e bëjnë gjithë rrugëtimin e tij të ardhshëm të mbarë e të mirë; për çfarë unë s’kam asnjë dyshim”, shkroi Abdixhiku.
Abdixhiku kërkoi mbështetjen për të dhe programin e tij.
“Përtej simbolikës së zakonshme që na shfaqet gjithandej, Përparimi na ka treguar imazhin e një Kryeqyteti që e duam të gjithë. Që e kemi kërkuar të gjithë. Prishtina s’mund më vetëm të administrohet; Prishtina duhet të transformohet. Këtë kapërcim e bën vetëm Përparimi – për përvojën e tanishme e për gjeneratat që na vijnë.
Prandaj, të dashur Prishtinas, mbështetja juaj për të, për programin e tij, dhe për ne padallim – është domosdoshmëri. Është mbështetje për Prishtinën, qytetin tonë që e kemi ëndërruar gjithnjë”.