Drenica ka fituar me rezultat të thellë 4-0 në shtëpi ndaj Feronikelit në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në BKT Superligën e Kosovës.
Ekipi i Tahir Lushtakut i është kthyer fitores në kampionat, pasi ka triumfuar ndaj rivalëve rajonal, pas humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Ballkanit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim total të kuqezinjve, të cilët përveç rasteve të shumta arritën të shënojnë edhe tri gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 12-të dhe ishte Kreshnik Uka, i cili shënoi nga afërsia për epërsinë 1-0.
Braziliani Dennisson (25’) u përkujdes për epërsinë 2-0, ndërsa Baton Zabërgja (43’) shënoi për 3-0 dhe më këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.
Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të vendasve, të cilët krijuan më shumë, menaxhuan lojën dhe shënuan edhe një gol për të vulosur fitoren.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 60-të nga lojtari në formë, Uka, i cili nga penalltia shënoi për 4-0 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Drenica rikthehet në pozitën e parë me 17 pikë, ndërsa Feronikeli zë vendin e shtatë me 10 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, Drenica udhëton te Gjilani, ndërsa Feronikeli e pret Dritën.