Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaSfidat e Prishtinës në prag të zgjedhjeve komunale

Sfidat e Prishtinës në prag të zgjedhjeve komunale

Shtatë parti politike kanë vënë kandidaturat e tyre për postin e kryetarit të Prishtinës të cilin do ta zgjedhin 196 mijë votues të regjistruar në këtë komunë në zgjedhjet e 17 tetorit.

 

Organizatat e shoqërisë civile në Prishtinë thonë se pavarësisht që kryeqyteti realizon shkallën më të lartë të të hyrave komunale në Kosovë, problemet vazhdojnë të jenë pothuajse të njëjta që nga përfundimi i luftës.

“Problemet më të theksuara te rasti i kryeqytetit kanë të bëjnë me mungesën e estetikës urbane, mungesën e gjelbërimit dhe mungesën e parkingjeve. Po ashtu ka shkallë të pamjaftueshme të investimeve publike përkatësisht kapitale, kemi edhe mostrajtim të ujërave të zeza”, thotë Bekim Salihu nga Instituti për studime të avancuara GAP.

“Më e keqja problematikë që e përcjellë komunën e Prishtinës ka të bëjë me menaxhimin e kontratave. Pra them kushtimisht edhe nëse paratë nuk kanë shkuar në kompaninë e duhur, komuna e Prishtinës megjithatë nuk arrin të marrë punën meritore karshi parave që jep. Pra secila kontratë i ka specifikat e veta, çmimin, kriteret, paramasën se si do të punohet një punë e caktuar dhe kur ne e monitorojmë përveç që i shohim pagesat ne dalim edhe në teren, ajo që shohim në teren pastaj është kontradiktore me atë se çfarë shkruan në kontratë”, thotë Qëndrim Arifi nga organizata INPO.

“Çështja tjetër që është me rëndësi është mobiliteti i qytetarëve, pra lëvizja dhe kjo lidhet direkt me trafikun e stërngarkuar në Prishtinë e pastaj lidhje direkte me të është edhe ndotja e ambientit pra ajri i papastër”, thotë Erblin Hoxha nga lëvizja FOL.

Zoti Salihu, thotë se shkalla e përmbushjes së premtimeve të kandidatëve për kryetar komunash është shumë e ultë.

“Instituti GAP për mandatin 2017-2021 ka evidentuar 913 premtime që kanë dhënë kryetarët aktualë të komunave dhe vetëm 52 për qind e këtyre premtimeve janë përmbushur, pjesa tjetër ose janë gjysëm të përmbushura ose edhe të papërmbushura”, thotë ai.

As Prishtina nuk bën përjashtim, thotë Qëndrim Arifi hulumtues në organizatën INPO. Sipas tij nga 100 premtime të bëra për mandatin e kaluar, vetëm 28 kanë gjetur zbatim të plotë ose të pjesshëm.

“Po shohim projekte që nuk burojnë nga nevojat reale të qytetarëve. Unë për asnjë projekt të asnjë kandidati nuk them që nuk është i mirë për Prishtinën, është shumë i mirë, mirëpo nuk mund të ia prezantosh një projekt ambicioz, super ambicioz, milionësh, kur qytetari i Prishtinës nuk ka hapësirë ku ta parkojë veturën, kur ai nuk guxon të dalë nga shtëpia për shkak të qenve endacak”, thotë ai.

“Nuk është problemi thjeshtë në njëfarë mënyre të draftohet dhe të bëhet një plan i mirë, problemi kryesor është te realizimi i atij programi. Te shumë nga kandidatët kemi parë planprograme shumë ambicioze e që duket se në realitetin e Kosovës janë të parealizueshme”, thotë Erblin Hoxha nga lëvizja FOL.

Ai thekson se qeverisja e ardhshme komunale duhet të hartojë një strategji për përfshirje më të madhe të qytetarëve në projektet që realizon.

 

“Një prej çështjeve të para që duhet komuna tash e tutje të fillojë ta bëjë është përfshirja e qytetarëve, pra të gjejë mekanizma inovativ se si qytetarët do të përfshihen nëpër zhvillimin e të gjitha projekteve. Në komunën e Prishtinës e shohim një numër jashtëzakonisht të vogël të qytetarëve në konsultime publike”, thotë ai.

Por, çfarë thonë qytetarët me të cilët bisedoi Zeri i Amerikës?

“Mendoj që kemi shumë probleme, por ajo që më shqetëson mua më shumë sepse vij nga një fushë e artit, mendoj se në këtë aspekt pikërisht nuk është bërë thuajse asgjë, pikë. I dëgjoj kur dalin e thonë se kemi këto festivale, kemi ftuar këtë këngëtar, por në fakt jeta kulturore në Prishtinë është thuajse e barabartë me zero. Nuk ka investime në infrastrukturë të ansambleve, të teatrove, nuk kemi teatër qyteti, nuk kemi ansambël qyteti dhe rinia jonë bredh rrugëve sepse nuk e gjen hapësirën”, thotë Haki Mulliqi, banor i Prishtinës.

“Ka probleme me rrugë e me rrugica nëpër qytet të cilat nuk janë mirëmbajtur dhe nuk mirëmbahen edhe sot e kësaj dite më shumë i është kushtuar rëndësi periferisë sesa qytetit përbrenda. Ka nevojë për çerdhe, ka shumë fëmijë të cilët nuk kanë fatin të shkojnë në çerdhe dhe ato duhet të ndërtohen. Presim prej këtyre zgjedhjeve. Por këto premtimet e këtyre janë më shumë elektorale sesa të realizueshme”, thotë banori tjetër, Arif Arifi.

Konkurrenca më e fortë në kryeqytet zhvillohet ndërmjet tri partive, lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments