Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKurti mbyll sytë për Rakiqin: Agim Veliun e Shkelzen Gashin i shkarkonte...

Kurti mbyll sytë për Rakiqin: Agim Veliun e Shkelzen Gashin i shkarkonte për “fjalë goje”

Kur erdhi në pushtet për herë të parë në koalicion me LDK-në, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje tregohej i patolerueshëm ndaj gabimeve, qofshin ato edhe deklarata në debate televizive.

 

Kurti si kryeministër i vendit e kishte shkarkuar për “një fjalë goje” Ministrin e Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së (me të cilën ishte në koalicion qeverisës), Agim Veliun, veprim ky që u bë edhe shkas për prishjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Veliu si ministër kishte mbështetur deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi që vendi të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pas rrezikut për shpërndarjen e virusit, kur Qeveria e Kosovës edhe kishte shpallut gjendjen emergjente pas situatës së krijuar me virusin COVID-19.

Pasi që kryeministri Kurti ishte shprehur kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ministri Veliu i kishte dalur kundër ‘eprorit’ të tij, duke e mbështetur një veprim të tillë.

Menjëherë ditën e nesërme, Kurti kishte marrë vendim për shkarkimin e ministrit Veliu, pasi që sipas Kurtit ky ministër ka përhapur panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në ore”.

Kurti kishte deklaruar se Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e Qeverisë, pjesë e të cilës kishte qenë vetë Veliu.

Kurti në mandatin e parë si kryeministër  kishte vepruar njëjtë edhe me njerëzit e afërt të tij, ashtu si kishte vepruar edhe me këshilltarin e tij, Shkëlzen Gashin.

Gashi kishte deklaruar në një emision televiziv se ka individë, përfshirë edhe ata në hierarkinë e lartë të UÇK-së, që kanë kryer krime lufte dhe se ka një arsye për ekzistimin e Gjykatës Speciale.

Ai kishte thënë se janë raportuar edhe fakte nga organizata ndërkombëtare për këto pretendime, duke thënë se ai beson që autorët e këtyre krimeve duhet të ndëshkohen.

Deklaratat e Gashit kishin nxitur reagime të shumta, pasi që u pranuan si qëndrim i Qeverisë Kurti.

Kurtit nuk i kishin ikur as deklaratat e Gashit, andaj edhe ishte takuar dhe e kishte liruar nga detyra, duke thënë se është më mirë që debatin në të cilët ishte përfshirë Gashi, të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit të tij.

“Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, kishte shkruar Kurti në njoftimin e tij, përcjell lajmi.net.

Por, Kurti si duket ka ndryshuar dhe reflektuar gjatë kohës sa ishte përsëri në opozitë, deri sa u zgjodh përsëri kryeministër më 14 shkurt të këtij viti.

Kryeministri Kurti është treguar më i butë me Ministrin e Pushtetit Lokal nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakiq. Ky i fundit ishte deklaruar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë.

Përderisa njësitet speciale të Policisë së Kosovës kishin shkuar në pikat kufitare në veri të Kosovës për të pasur situatën nën kontroll pas vendosjes së reciprocitetit, qytetarët serb dolën të protestonin kundër këtij vendimi, e kësaj proteste iu bashkangjit edhe ministry Goran Rakiq, i cili tha se ky vendim i Qeverisë (pjesë e së cilës është edhe ai) është kundër popullit serb.

Në anën tjetër, i pyetur nëse do të ndëshkojë ministrin Rakiq për pjesëmarrjen në protestën e organizuar nga banorët serbë të veriut, kryeministri Kurti kishte thënë se nuk e sheh të arsyeshme të marrë masa ndaj tij.

“Me sa jam i informuar unë dhe sa më ka treguar ai, është përpjekur që situata të mos eskalojë dhe të mos ketë veprime të dhunshme. Nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, kishte deklaruar Kurti.

Pas mos-ndëshkimit për deklaratat e para kundër Qeverisë së Kosovës në të cilën edhe vetë është ministër, Goran Rakiq mori zemër edhe pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës në disa komuna, përfshirë edhe ato veriore ku u përballën me protestuesit serbë.

Rakiq u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Rashkë të Serbisë, e ku kërcënoi hapur shtetin e Kosovës.

Ministri Rakiq paralajmëroi se nëse skena të tilla si ajo e djeshme përsiten sërish “do të ketë rezistencë gjenerale”.

“Nëse diçka e tillë ndodh herën tjetër, do të ketë rezistencë të përgjithshme. Pavarësisht se çfarë do të thotë kjo dhe pavarësisht se si e kuptojnë ata, ne do të mbrohemi me të gjitha mjetet në dispozicion”, tha Rakiq, duke marrë ovacione nga serbët e pranishëm aty.

Tutje, ai ka kërkuar që takimi me Vuçiq të transmetohet drejtëpërdrejtë, në mënyrë që të gjithë të shohin se çfarë po ndodh në ‘Kosovë e Metohi’.

Ndaj deklaratave të Rakiqit ka pasur reagime nga opinioni të cilët kanë kërkuar shkarkimin e tij, pasi që konsiderohet se ka shkelur mbi autoritetin kushtetues të Kosovës me veprimet e tij gjatë aksionit të djeshëm në veri të Mitrovicës. 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments