Së paku tre persona u vranë dhe shumë të tjerë u lënduan të enjten gjatë një proteste në Bejrut nga grupi “Hezbollah” dhe aleatët e tij kundër gjykatësit kryesor në rastin e hetimeve për shpërthimin masiv në portin e qytetit, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve.
Shkëmbimi i zjarrit ku u përfshinë snajperë, pistoleta, AK-47 e granata ishte eskalim i rrezikshëm i tensioneve rreth hetimeve për shpërthimin që kishte marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Në kryeqytet u dëgjuan të shtëna armësh dhe ambulancat shkuan me ngut në vendin e ngjarjes. Snajperistët gjuanin nga ndërtesat dhe plumbat thyen xhamat e dritareve.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e nxiti fillimin e të shtënave, por tensionet ishin të larta mes zonave shiite dhe të krishtera,
Një gazetar i agjencisë “Associated Press” pa një burrë duke qëlluar me pistoletë gjatë protestës si dhe persona të armatosur duke qëlluar në drejtim të protestuesve nga ballkoni i një ndërtese. Së paku dy burra u panë të lënduar dhe me gjak që u rridhte nga trupi.
Përmes një deklarate, Kryeministri Najib Mikati bëri thirrje për qetësi dhe u bëri thirrje njerëzve që të mos përfshihen në konflikte civile.
Ndryshe, nga shpërthimi që ndodhi më 4 gusht 2020 kanë vdekur së paku 215 persona, janë lënduar mijëra të tjerë e janë shkatërruar shumë ndërtesa. Dëmet e shpërthimit e futën në krizë edhe më të thellë Libanin, shtet që edhe ashtu ishte i zhytur në përçarje politike e krizë ekonomike.