Kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Shkup të organizuar nga magazina “The Economist”. Kurti foli edhe për aksionin e djeshëm të policisë kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar. Ai tha se kriminelët shqiptarë dhe serbë bashkëpunojnë pa pengesa në Kosovë.
“Krimi i organizuar është multietnik në Kosovë, kriminelët shqiptarë dhe kriminelët serbë ata bashkëpunojnë pa pengesa dhe ne do ta luftojmë atë pavarësisht gjithçkaje dhe dje ishte një operacion policor në disa komuna përfshirë Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, ku morrën pjesë pjesëtarë të policisë nga komuniteti shqiptar dhe serb”, tha Kurti.
Ai tha se poashtu se krimi në Kosovë s’duhet të etnizohet.
“Mendoj se është e dëmshme që krimi të etnizohet dhe të politizohet”, ka thënë tutje Kurti.
Më 13 tetor, autoritetet kryen një operacion kundër kontrabandës së mallrave. Ky operacion u prit me protesta dhe bllokada në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetë policë si dhe dhjetë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.
Autoritetet e rendit po ashtu njoftuan se kanë arrestuar tetë persona të dyshuar se janë të përfshirë në kontrabandë, ndërkaq kanë shpallur në kërkim edhe dhjetë persona të tjerë. Si në mesin e të arrestuarve, ashtu edhe të atyre që po kërkohen, shumica janë shqiptarë të Kosovës.