Rusia po vazhdon të raportojë rekorde të shifrave të viktimave të Covid-19, por të enjten edhe rekord të të infektuarve.
Për të tretën ditë radhazi, task-forca kundër koronavirusit regjistroi 986 të vdekur në 24 orët e fundit dhe 31.299 raste të reja të të infektuarve, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.
Kremlini e ka fajësuar fushatën e ngadalshme të vaksinimit për rritjen e numrit të viktimave dhe u ka bërë thirrje rusëve që të vaksinohen. Sidoqoftë, shumë rusë nuk janë vaksinuar për shkak të mungesës së besimit ndaj autoriteteve dhe frikës nga prodhimet e reja mjekësore, shkruan Free Europe.
Rusia vitin e kaluar u bë shteti i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër sëmundjes së re dhe deri më tani ka miratuar për përdorur katër vaksina.
Të martën, presidenti rus, Vladimir Putin, e theksoi rëndësinë e vaksinimit masiv të popullsisë dhe u bëri thirrje ligjvënësve që të ndihmojnë në inkurajimin e njerëzve për ta marrë vaksinën.
“Ne duhet që me durim e në mënyrë të vazhdueshme të punojmë me njerëz e t’ua sqarojmë të gjitha përparësitë e profilaktikës kundër kësaj sëmundjeje të rrezikshme”, tha Putini në një takim me deputetët e porsazgjedhur rusë.