Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova“700” problemet e Kurtit më pak të rëndësishme se vota për Mimoza...

“700” problemet e Kurtit më pak të rëndësishme se vota për Mimoza Kusarin në Gjakovë

Kryeministrit Albin Kurti, siç duket nuk po i bëjnë fare përshtypje zhvillimet politike e nacionale në Kosovë, e të cilat janë të shumta dhe intensive këto ditë të fundit.

 

Gjatë një tubimi dje në Gjakovë, i pari i qeverisë së Kosovës u tha banorëve atje se asnjë punë më të rëndësishme nuk e ka, se sa t’iu thotë atyre që “ta votojnë Mimoza Kusarin”, shkruan lajmi.net.

“Unë i kom 100 punë, po më duket pak me thanë i kom 100 punë, unë i kom 700 punë, ama nuk kom punë ma të rëndësishme se me ardhë këtu në Gjakovë edhe me thanë votojeni Mimoza Kusari-Lilën”, ka thënë Kurti dje.

E në këto 700 punë që Kurti po i konsideron më pak të rëndësishme se vota për Mimoza Kusarin, janë një sër çështjesh e problemesh  që janë me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës.

Situata në veri: Dje në aksionin e Policisë së Kosovës në veri kundër kontrabandës, nga huliganët serbë u plagosën 10 persona. Ndaj policëve të shtetit u qëllua me armë zjarri e me granata dore, teksa disa prej tyre përfunduan edhe në spital. Sidoqoftë, siç tha Kurti, kjo çështje është me rëndësi më minore se sa vota për Mimoza Kusarin.

Kriza me energjinë elektrike: I tërë rajoni i Ballkanit, e madje edhe një pjese e Evropës është përfshirë nga mungesa e energjisë elektrike. Për pasojë, kjo ka afektuar në ngritjen enorme të çmimit të rrymës. Kjo situatë, siç ka paralajmëruar vet qeveria e Kosovës do të afektojë edhe në Kosovë, andaj qytetarët janë ftuar të jenë të përgatitur. Sërish, këtë Kurti e ka cilësuar nën rëndësinë e votës për Mimoza Kusari-Lilën.

Gazsjellësi amerikan: Qeveria tashmë e ka refuzuar një projekt të SHBA-ve për gazsjellësin amerikan.  Kjo është parë me një sy tepër kritikues nga opozita të cilët po cilësojnë se përveç humbjeve ekonomike, Kosova edhe i ka rrezikuar raportet me partnerin kryesor strategjik. Megjithatë, gazsjellësi amerikan, siç duket është problem minor krahasuar me votën për Mimoza Kusarin në Gjakovë.

Specialja: Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës aktualisht po përballen me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë. Kryetemë e ditëve të fundit, është një garancë nga Policia e Kosovës si institucione shtetëror, që iu duhet atyre për lirimin nga paraburgimi. Në Hagë po gjykohet edhe një bashkëpunëtor i Kurtit, Rexhep Selimi, mirëpo që për të parin e qeverisë së Kosovës, siç e tha edhe ai vet, është më e rëndësishme vota për Mimoza Kusarin në Gjakovë.

Situata me COVID: Ndonëse ditëve të fundit në Kosovë kanë rënë rastet me COVID-19, e kaluara ka dëshmuar se Kosova është zënë e papërgatitur në rastet kur ka pasur rritje të tyre. Gjatë verës, Kosova u përball me një katastrofë shëndetësore, ku si pasojë e lirimit të krejtësishëm të masave, pati mesatarisht mbi 20 viktima çdo ditë. Sezona e dimrit që bartë me vete edhe gripin sezonal, mund të jetë me nivel më të lartë të rrezikshmërisë për situatën me COVID-19. Sidoqoftë, kjo sërish përbën një problematikë të rëndësisë më të vogël, se sa vota për Mimoza Kusari Lilën.

Ngritja e çmimeve të produkteve bazike: Në Kosovë ditëve të fundit është vërejtur rritje e çmimeve të produkteve bazike të konsumit. Përveç bukës e vajit, edhe shumë produkte tjera të përditshmërisë sonë kanë pësuar ngritje të çmimeve. E kjo thuajse çdo ditë po shkakton reagime të qytetarëve në rrjete sociale, mirëpo që për Kurtin sërish është një problem më i vogël se sa vota për Mimoza Kusarin.

Përveç të lartëpërmendurave, Kosova aktualisht po përballet me problematika të tjera si: Rritja e çmimit të naftës, organizimi i procesit mësimor, punësimi, ikja e të rinjve jashtë shtetit, luftimi i kontrabandës, deficiti tregtar, përkrahja për bujqit dhe plotë probleme tjera që mund ta kalojnë 700-shin, mirëpo që sërish për Kurtin janë të një rëndësie më të vogël se sa vota për Mimoza Kusarin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments