Kryetarët e Komunave të Kosovës kanë kërkuar heqjen e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve nga 17 tetori, ditë kur edhe do të mbahen zgjedhjet lokale
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online tha se ka shumë argumente për heqje të orës policore.
Meqenëse se 17 tetori është dita e zgjedhjeve komunale, ai thotë se një numër i madh i komisionerëve do të punojnë deri në orët e vona.
Derisa ka përmendur që shumë prej komunave do të fitohen pa balotazh, e që sipas tij, në ato komuna mund të ketë edhe festë.
Ibrahimi po thekson se nuk duhet të provokohet situata, që po e konsideron të nevojshëm heqjen e kufizimit të lëvizjes.
“Kryetarët e Komunave kërkojnë që nga data 17 tetor, kur është dita e zgjedhjeve lokale të hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes, janë disa argumente se përse duhet të bëhet një veprim i tillë, dhe gjatë asaj dite dhe gjatë asaj nate do të kemi një numër të madh të vëzhguesve, por edhe komisionerevë që do të lëvizin por të cilët do të qëndrojnë deri në orët e vona, të mbrëmjes, argumenti tjetër është se në disa komuna pritet që kryetarët të fitojnë pa balotazh dhe në ato komuna mund të ketë festa dhe për këtë arsye në mënyrë që mos të provokohet situata pas orës 22:00 është një argument plotësues që të hiqet kufizimi i lëvizjes dhe një kërkesë tjetër e AKK-së që është parashtruar edhe më herët se nëse një person që lëviz veten që mos ta bart maskën”.
Ibrahimi shton se heqja e kufizimit të lëvizjes, të vazhdojë edhe pas datës 17 tetor, derisa tha se brenda 2-3 ditëve kërkesa e tyre do të merret parasysh.
Sipas tij, nuk duhet që të të prishet sharmi i demokracisë lokale sepse Kosova konsiderohet se ka arritur një pjekuri sa i përket organizmit të zgjedhjeve, raporton EO.
“Kërkesa është që të fillohet largimi i orës policore që nga 17 tetori, duhet të merret në konsideratë se që nga viti 2000, këto zgjedhje kanë qenë si festë dhe është hera e parë që kemi një kufizim të tillë, në ditën e zgjedhjeve lokale dhe për këtë arsye kërkojmë mirëkuptimin e nivelit qendror sepse ka mundësi që në komuna të ketë festë gjatë asaj nate dhe mos të prishet sharmi i demokracisë lokale sepse Kosova konsiderohet se ka arritur një pjekuri sa i përket organizmit të zgjedhjeve e sidomos atyre lokale”.
Të njëjtën kërkesë për heqje të kufizimit të lëvizjes e ka edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.