Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në veri janë dëmtuar katër vetura.
Një rast që është raportuar në Polici është edhe nga dy shtetas së huaj, të cilët gjersa ishin duke lëvizur në rrugën “Karl Petri” në Zveçan, u sulmuan nga një grup i qytetarëve. Si pasojë e këtij sulmi, shtetasve të huaj u është dëmtuar xhami i pasmë i automjetit.
Po në Zveçan u dëmtua edhe një veturë. Viktima mashkull kosovar e njoftoi Policinë se vetura e tij ishte dëmtuar nga një grup i qytetarëve që ishin tubuar për të kundërshtuar aksionin e djeshëm të Policisë kundër kontrabandës.
“Zveçan, 13.10.2021 – NN. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se, nga një grup i qytetarëve të cilët kanë qenë të tubuar në shenjë pakënaqësie lidhur me aktivitetet policore iu kishte dëmtuar vetura e tij e cila kishte qenë e parkuar para një lokali. Njësitë policore janë marr me rastin dhe nuk raportohet për të lënduar apo arrestuar”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, dy vetura u dëmtuan edhe në rrugën “Lole Ribar”, në Mitrovicën e Veriut. Policia njoftoi se për rastin ka lajmëruar një kosovar.
“Rr Lole Ribar , Mitrovicë Veri, 13.10.2021-09:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, nga person-a të panjohur i janë dëmtuar dy veturat e tij, ndërsa nuk raportohet për të arrestuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Në raportin 24-orësh Policia e Kosovës ka dhënë detaje edhe për aksionin që ndërmori dje në katër rajone të Kosovës.
Sipas njoftimit, aksioni u zhvillua në Prishtinë, Pejë, në jug të Mitrovicës dhe në veri të Mitrovicës.
Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar: mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra €.
“ Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, dhe Zveçan, 13.10.2021 – 07:00. Është raportuar se Drejtoria e Hetimit të Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga njësi të ndryshme relevante policore, me urdhëresë lëshuar nga gjykatat kanë kontrolluar-bastisur në lokacionet e cekura me qëllim luftimin e kontrabandës. Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar: mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra €. Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan nga një grup protestuesish duke i sulmuar dhe penguar në kryerje të detyrës kanë bllokuar rrugët me mjete transportuese, përdorë armë zjarri, granata dore, bombola gazi, bomba shokuese e tjera, me ç rast lëndime trupore kanë pësuar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare. Në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë meshkuj kosovarë janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Dhjetë të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Rasti vazhdon të hetohet”, njofton Policia.