Kur trupi i gjymtuar i Giulio Regenit ishte gjetur në një hendek afër Kairos në shkurt të vitit 2016, ai ishte aq shumë i dëmtuar, saqë nëna e tij kishte vështirësi për ta njohur.
Gati pesë vjet më vonë, katër pjesëtarë të forcave egjiptiane të sigurisë do të gjykohen në mungesë të enjten në Romë, të akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e studentit italian. Autoritetet egjiptiane i kanë mohuar akuzat.
Autoritetet egjiptiane vazhdimisht i kanë penguar hetimet nga Italia, duke hedhur teori të ndryshme rreth vrasjes si një marrëveshje e dështuar për drogë, një plaçkitje e dështuar e madje edhe një krim homoseksual i nxitur nga pasioni.
Megjithatë, prokurorët italianë kanë vlerësuar se pas vrasjes së studentit qëndron agjencia për siguri kombëtare e Egjiptit. Ata thonë se Regeni ishte nën vëzhgim për disa javë dhe është raportuar si spiun nga një sindikalist tregtar në Kairo.
Prokurorët në Romë kanë thënë se para se të vritej, Regeni ishte sulmuar me grushte e shqelma, trupi i tij ishte prerë, ishte djegur me objekte të nxehta dhe ishte rrahur me shkopinj.
Katër të pandehurit – Gjeneral Tariq Sabir, Kolonel Usham Helmi, Kolonel Athar Kamel Mohamed Ibrahim dhe Major Magdi Ibrahim Abdelal Sharif – kanë mohuar se e kanë rrëmbyer Regenin.
Vrasja e tij kishte shkaktuar reagime të shumta dhe krizë në marrëdhëniet mes Italisë e Egjiptit. Italia e kishte tërhequr ambasadorin e vet nga Kajro. Egjipti i ka ndërprerë hetimet për këtë rast duke i përmendur si arsye provat e pamjaftueshme.