Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për shtyp pas aksionit në veri tha se lidhur me operacionin e zhvilluar sot dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacioneve.
Mehmeti tha se kjo gjë tashmë ka nisur të hetohet.
Ai tha se në drejtim të policisë grupet kriminale në veri kanë hedhur shok-bomba, granata dore e kanë gjuajtur me armë zjarri.
“Operacioni ka filluar gati një vit më parë dhe veprimet operacionale janë zhvilluar gjatë gjithë kohës. Në pjesën veriore të Mitrovicës, grupet kriminale janë grumbulluar dhe kanë krijuar bllokimin e rrugëve. Kanë hedhur bombola gazi, kanë përdorur mjete transportuese me qëllim të bllokimit të rrugëve, kanë hedhur shok-bomba, kanë shtënë me armë të ndryshme të zjarrit dhe kanë hedhur granata dore ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, me qëllim të pengimit”, u shpreh tutje Drejtori i Policisë.