Polonia po planifikon që të shpenzojë mbi 1.6 miliard zlotë ose rreth 350 milionë euro për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Bjellorusinë, sipas një projektligji që pritet të diskutohet nga ligjvënësit të mërkurën, në përpjekje për t’i zmbrapsur emigrantët që po përpiqen ta kalojnë kufirin.
Njoftimi vjen në kohën kur policia gjermane ka raportuar rritje të numrit të emigrantëve që po hyjnë në mënyrë të paligjshme në Gjermani, vendi më i popullarizuar për azilkërkues, pasi fillimisht e kanë kaluar kufirin Bjellorusi – Poloni dhe pasi kanë arritur në perëndim të kësaj të fundit.
Polonia në gusht filloi të ndërtonte rrethojë me tela me gjemba për ta parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit, pavarësisht kritikave se disa emigrantë janë duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Muri i ri, i cili pritet të jetë i pajisur me senzorë të lëvizjes dhe kamera, pritet ta përforcojë edhe më tej sigurinë në kufirin lindor.
Polonia, Lituania e Letonia kanë raportuar rritje të numrit të emigrantëve nga vendet si Afganistani, Irani e Iraku, që po e kalojnë kufirin e Bjellorusisë. Varshava dhe Brukseli thonë se një gjë e tillë është një luftë hibride e pushtetit bjellorus për t’i bërë trysni BE-së rreth sanksioneve që i janë vendosur Minskut.
Në Gjermani, policia federale tha të mërkurën se numri i njerëzve që kanë hyrë në vend përmes kufirit Bjellorusi – Poloni ka shkuar në mbi 4.300 vetëm nga gushti në krahasim me vetëm 26 që kanë hyrë në periudhën janar – korrik, shkruan Reuters,