Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, më 2 tetor në përkrahje të bashkëpartiakut të tij, Agim Bahtirit, kishte premtuar se menjëherë në javën tjetër do ta kalonin projektin për impiantin në Mitrovicë në mbledhjen e Qeverisë, i cili do të kushtojë rreth 42 milionë euro.
Ky projekt nuk u përmend më nga askush. Madje, as nga kryeministri Kurti kur ishte në Mitrovicë.
Periskopi ka mësuar se arsyeja pse më nuk e përmendnin ishte për shkak që Qeveria e kishte kuptuar që vetë Bedri Hamza, si ish-ministër i Financiave, është nënshkrues i atij projekti.
Ky impiant ka të bëjë për programin mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim për zonat rurale, Faza dalëse VI.
Memorandumi i bashkëpunimit ishte nënshkruar ndërmjet ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza dhe presidentes së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Samantra Chakrabarti, në maj të vitit 2018.
Megjithatë, tek sot, Qeveria i ka futur në rend të ditës dy pika për Mitrovicën, si shqyrtime të nismave për negocim të mundësive që derivojnë prej marrëveshjes së nënshkruar nga Bedri Hamza.
Në pikën 25 të rendit të sotëm të ditës së Mbledhjes së Qeverisë, parashihet shqyrtimi i Nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë” dhe në pikën 26 është paraparë shqyrtimi i Nismës për Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë”
Pasardhësi i Bedri Hamzës në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, para qytetarëve të Mitrovicës e kishte prezantuar këtë projekt të nënshkruar nga ish-ministri Bedri Hamza, si projekt të Qeverisë Kurti për Mitrovicën.
Në memorandumin e bashkëpunimit, Neni 1 thuhet se: “Ky memorandum ka për qëllim të ofroj një kornizë për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës me qëllim mbështetjen e komunave dhe KO-ve në lidhje me përmirësimin e nevojshëm të Infrastrukturës Komunale dhe Mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve të komunave dhe shërbimeve publike si dhe angazhimin për Kornizën e Qyteteve të Gjelbra”.
Sipas marrëveshjes, në nenin 2 të saj, pika 2.3 thuhet se: “Në kuadër të këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, janë rezervuar fonde deri në 50 milionë euro për të financuar ndërtimin e impianteve të reja të trajtimit të ujërave të zeza në qytetet e Gjilanit dhe Mitrovicës”.
Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte arsyetuar dhe paraqitur projektligjin, duke thënë se janë në përpjekje për të avancuar zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në sektorin e ujërave në zonat rurale e urbane, duke mos e theksuar se ky projekt ishte nënshkruar dhe dakorduar nga ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, tani kandidat për kryetar të Mitrovicës.