Në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt pas kthimit nga pushimi i drekës, në seancën ku po gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa.
Seanca ka vazhduar me disa urdhra të lëshuar nga kryetarja e trupit gjykues dhe me propozimet e saj për orarin e dëgjimit të dëshmitarëve të tjerë për muajt e ardhshëm.
Mappie Veldt-Foglia ka bërë të ditur se trupi gjykues do të mund të dëgjojë vetëm një dëshmitarë në javë ka deklaruar se dëgjimi i dy dëshmitarëve do të mbetet për muajin janar.
Ajo ka thënë se nga zyra administrative janë njoftuar gjatë muajve në vijim nuk do të mund të zhvillohet sesioni i katërt i seancës dhe kjo vlen për çdo ditë. Andaj sipas saj, trupi gjykues për një javë do të mund të dëgjohet vetëm një dëshmitar, përjashtimisht nëse koha e pyetjeve e vlerësuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është më shumë se dy orë.
“Trupi gjykues propozon të ndjek rendin e propozuar nga ZPS me përjashtim të dëshmitarëve 4391, 4390 dhe 4676. Propozimi i trupit gjykues, është propozim sepse duhet të shikojmë edhe disponibilitetin dhe arsye të tjera, është që të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit 4676 në periudhën 17-19 nëntor 2021 dhe dëshmia e dëshmitarëve 4391 dhe 4390 në periudhën 22 deri 26 nëntor. Arsyeja për këtë ndryshim të propozuar është sepse në javën e 22 nëntorit, trupi gjykues ka në dispozicion siç u është komunikuar palëve dhe mbrojtëses së viktimave, nuk kemi më shumë se tri ditë radhazi për të dëgjuar dëshmitarët”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.
Ajo ka thënë se dëshmitarët 4601 dhe 4484 pritet të dëgjohen në muajin janar 2022.
“Për shkak të caktimit të orëve, të kohës pra, për seanca gjyqësore dëshmitari 4485 me shumë gjasë do të caktohet të dëshmojë në periudhën 13-15 dhjetor, dhe dëshmitarët 4601 dhe 4484 me shumë gjasë do të japin dëshminë në janar të vitit 2022. Nuk pres që të reagoni më vend tani por ky është propozimi ynë konkret lidhur me tre dëshmitarë”, ka thënë ajo.
Pjesa e fundit e seancës, e cila filloi me vonesë, u mbajt edhe më disa pjesë të mbyllura për publikun.
Në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues ka kërkuar nga palët që kur të paraqesin materiale si prova, të tregojnë edhe nivelin e klasifikimit të materialit në fjalë, për çka edhe ka lëshuar një urdhër për ZPS-në.
“ZPS të informojë trupin gjykues jo më vonë se dita e premte 12 nëntor 2021, se cilat materiale të përfshira në parashtrimin e protokolluar 201 përfshirë edhe materialet e përmendura nga i akuzuari në intervistën e tij me ZPS-në mund të klasifikohen si publike nëse ka dhe nëse do të konsiderohen si të pranuara. Gjithashtu ZPS-ja të bëjë të ditur jo më vonë se datat 15 tetor 2021, se cilat materiale të përfshira në parashtrime të protokolluara 128 mund të klasifikohen si publike nëse ka dhe konsiderohen si të pranuara”, ka thënë Foglia.
Dëshmitari i katërt i mbrojtur i ZPS-së, i cili ka dëshmuar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndër të tjera ka thënë se nga dy persona me maska është dërguar në një objekt mbajtjeje në Zllashë ku sipas tij, ka marrë trajtim çnjerëzor.
Megjithatë, pjesa më e madhe e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun. Salih Mustafa ka marrë pjesë në këtë seancë me prezencë fizike.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.