Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaJava e tretë e mësimit pa tekste shkollore

Java e tretë e mësimit pa tekste shkollore

Është java e tretë e vitit shkollor dhe dy fëmijët e Sofije Osmanit nga fshati Keqekollë, Komuna e Prishtinës, nuk janë pajisur me të gjitha tekste shkollore.

Njëri nga fëmijët e Sofijes ndjek mësimet në klasë të gjashtë dhe tjetri në klasën e nëntë.

“Nuk po kuptoj, këtu thonë se japin libra falas në shkolla deri në klasën e nëntë e këndej, fëmijët nuk i kanë të gjitha librat”, thotë Sofija për Radion Evropa e Lirë.

Kjo po paraqet problem për fëmijët që të marrin njohurit e nevojshme, thotë ajo.

Tekstet shkollore me të cilët nxënësit duhet të pajisen nga shkolla janë në shitje në disa librari, por blerja e tyre, thotë Sofija, është edhe një barrë e rëndë financiare për buxhetin e familjes.

“Ata do të shkojnë pa libra në shkollë se nuk kam mundësi t’i blejë librat për fëmijët”, thotë Sofija, e cila ka edhe një fëmijë në klasën e dhjetë, për të cilin është dashur t’i shpenzojë 100 euro për t’i blerë të gjitha tekstet shkollore, pasi ato nuk jepen falas.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur në disa nga libraritë në Kosovë për çmimet që kanë këto tekste shkollore.

Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, një komplet tekstesh shkollore për një klasë mund të gjinden me një çmim prej 60 deri në 80 euro.

Tekstet shkollore të kompletuara nuk gjenden në një librari. Ato janë të ndara në dy e tri të tilla, varësisht nga shtëpia botuese e cila ka pasur të drejtën nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) t’i publikojë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 200,000 nxënës që vijojnë shkollimin në arsimin fillor-mesëm të ulët në vitin 2020/2021.

Rrahmani: Tekstet shkollore të vjetra janë të papërdorshme

Mungesa e teksteve shkollore po përcjell të gjitha shkollat në komunat e Kosovës, thotë kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

“Kudo nga kolegët tanë nëpër shkolla kemi pasur ankesa se po mungojnë tekstet shkollore. Aq më keq këto tekste po mungojnë tani kur edhe mësimi filloi me vonesë për shkak të pandemisë”, thotë ai.

Shkollimi i detyruar në Kosovë sipas Ligjit për arsimin parauniversitar, ofrohet falas.

Tekstet shkollore për shkollimin obligativ, nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, sipas Ligjit shpërndahen falas nga shkolla, por të njëjtat duhet të kthehen në fund të vitit shkollor.

MASHTI ka njoftuar shkollat se do të shpërndajnë tekstet shkollore komplet për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa e parë deri në klasën e pestë) dhe për nxënësit e klasës së tetë. Ndërsa tekstet tjera të klasës së gjashtë, shtatë dhe nëntë duhet të përdoren të vitit paraprak.

Për kthimin e teksteve shkollor nga nxënësit ekziston një vendim i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që nga viti 2016.

Por, nëse nxënësi i ka dëmtuar apo i ka humbur tekstet shkollore, atëherë prindi obligohet për kompensimin e teksteve.

Ky vendim i vitit 2016, thotë Rrahman Jasharaj është i gabueshëm, pasi që ato tekste pothuajse janë të papërdorshme.

“Nxënësit janë fëmijë dhe ato tekste i shfrytëzojnë për nëntë muaj, nënvizojnë njësitë mësimore, ndonjë fletë hiqet, mos ta flasim për fletore pune që duhet të plotësohen. Ato tekste thjesht janë të papërdorshme”, thotë Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga MASHTI lidhur me tekstet shkollore sesi do të zgjidhet ky problem dhe sesi do të pajisen nxënësit, por ata nuk i janë përgjigjur pyetjeve.

Reshiti: Po rëndohet buxheti i familjeve

Këshilli i Prindërve të Kosovës e quan shqetësuese gjithë këtë parregullsi të krijuar me tekstet shkollore.

Ymret Reshiti, kryetar i këtij këshilli, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e teksteve shkollore po detyron prindërit t’i blejnë disa prej tyre.

“Prindërit po tregojnë që fëmijët e tyre nuk i kanë të gjitha librat dhe detyrohen t’i blejnë. Po dëmtohet interesi i nxënësve, po dëmtohet buxheti i familjeve”, thotë Reshiti.

Problemin për mospajisjen e shkollave me tekste shkollore e ka ngritur edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se MASHTI është përgjegjës t’ia sigurojë nxënësve tekstet shkollore, të cilat edhe pse në javën e tretë të mësimit nuk janë në duart e nxënësve.

“Po pranojmë ankesa nga drejtorit komunale që familjet nuk kanë mundësi t’i blejnë tekstet shkollore. Një familje po i ka dy e tre fëmijë në shkolla, e një komplet i librave po kushton 60-80 euro dhe nuk po kanë mundësi ekonomi të përballojnë”, thotë ai.

Viti i ri shkollor 2021/2022 ka nisur më 27 shtator, për shkak të gjendjes me pandeminë në Kosovë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kishte bërë të ditur se ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit shkollor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments