Ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka mbajtur konferencë për medie..Kjo ministri ka pezulluar punimet e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), në lagjen Lakrishte, pasi gjatë rrënimit të një objekti të vjetër, doli se kishte materiale të azbestit e të cilat konsiderohen kancerogjene.
Sipas tij, pas daljes në terren të inspektorëve është parë që rrënimi është masiv, dhe pluhuri ka qenë shumë i madh.
Ai shtoi se punëtorët që kanë qenë duke i kryer punimet kanë qenë fare pa mbrojtje.
“Është rrethuar objekti dhe është ndaluar qasja e personave me të marrë vesh për rrezikun. Pastrimi është kërkuar të bëhet nga ushtria e Kosovës me veshje dhe pajisje të duhura. Pas pastrimit të zonës është normalizuar gjendja dhe mësimi ka filluar prapë”.
Madje ai thotë se në një farë mënyrë është mashtruar drejtoria e Urbanizmit të komunë së Prishtinës, ngase leja e rrënimit është lëshuar pa e ditur përbërjen e materialit.
“Është kuptuar se është lëshuar leje nga komuna. Gjatë trajtimit të dokumentacionit është vërejtur se leja rrënimit është lëshuar me 6 gusht në bazë të planit të rrënimit. Leja që është lëshuar, është lëshuar duke mos e ditur se ka selonit. Në një farë mënyrë është mashtruar drejtoria e Urbanizmit të komunë së Prishtinës.Leja ndërtimore është lëshuar më 16 gusht të këtij viti. Poseduesi i kësaj leje është NPB-ja. Ne kemi kërkuar nga kompania ekzistuese që ka kryer rrënimin, na ka dalë që ekziston kompani tjetër. Meqenëse një kompani private është hisedar si palë i bie që te leja ndërtimore të figurojë edhe hisedari”.Ai ka sqaruar se NPB-ja figuron si posedues i lejes ndërtimore.
“Dhe e kemi lejen ndërtimore e cila është lëshuar me datën 16 gusht dhe poseduesi i kësaj leje është Ndërmarrja Publike Banesore. NPB figuron si posedues i lejes ndërtimore.Komuna e Prishtinës e ka lëshuar lejen për Ndërmarrjen Publike Banesore pa e ditë që ka një palë tjetër kjo pala tjetër është e definuar me akt noterial para se te aplikohet me leje ndërtimi. Është mashtruar se lejen ja kanë lëshuar NPB-ja e në fakt ja kanë lëshuar dikujt tjetër”.Aliu tha se të gjitha provat do t’i dorëzojnë në Prokurori, duke kërkuar sa më shumë kujdes kur rrënohen objekte të tilla.“Shpreh gatishmërinë për të gjitha provat në funksion të Prokurorisë. Për sa i përket azbestit ka shumë ndërtesa me mbulesa salonite”.
“Çmontimi i tyre duhet të jetë i tillë të mos shkaktoj pluhur sepse është kancerogjen dhe i rrezikshëm. Duhet t’i vetëdijësojmë qytetarët dhe kompanitë që kur kanë të bëjnë me mbulesa saloniti të kenë kujdes në çmontimin e tyre”.
Tutje, Aliu shtoi se kanë qenë në komunikim me komunën, kryetarin dhe kemi pasur bashkëpunim të mirë.“Në momentin që ka ndodhur kemi reaguar duke dërguar inspektorin dhe drejtorin e inspektoratit të komunës. Prej anës së ministrisë është ndalë punimi”.NPB-ja bashkë me kompani private, si bashkë-investim, në atë lokacion synon të ndërtojë një objekt të madh afaristo-banesor.NPB-ja po synon që përmes ndërtimit të përbashkët me sektorin privat, të rrisë të hyrat dhe pasurinë e saj.