Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të hënën ka qëndruar në Ferizaj për të mbështetur kandidatin e partisë së tij për kryetar të kësaj komune, Valon Ramadani.
Gjatë vizitës në terren Kurti vizitoi disa nga prodhuesit e ndërmarrësit vendorë teksa në pamjet e publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti u pa duke “testuar” disa fshesa.
“Me Valon Ramadanin Kryetar në Ferizaj dhe qeverisjen qendrore në Prishtinë, do të mbështeten prodhuesit e ndërmarrësit vendorë e sidomos ato njësi të ekonomisë që krijojnë vende të reja pune për gratë e të rinj në këtë komunë. Me datë 17 tetor votojmë për zhvillim, votojmë numrin 144 për Bashkë qeverisje” thuhet në njoftimin e LVV-së.
Teksa kandidati për kryetar, Valon Ramadani, u komentua shumë pas një deklarate të dhënë për një nga pikat e programit të tij qeverisës, pikë kjo e cila nuk është dëgjuar asnjëherë më parë në premtimet e fushatave elektorale – ku do të organizojë një festival për moshën e tretë, në të cilin do të zgjedhet ‘Miss Gjyshja’.
Në imazhet e publikuara shihet një zonjë që në maskën e saj si mbrojtje kundër COVID-19 mban figurën e kryeministrit, Albin Kurti.