Armët e Koresë Veriore janë të nevojshme për ta mbrojtur vendin para Shteteve të Bashkuara “armiqësore”, citohet të ketë thënë udhëheqësi i këtij shteti, Kim Jong-un, raporto të martën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Kimi i bëri këto komente përderisa po qëndronte pranë disa raketave në Panairin e Zhvillimit të Mbrojtjes për ta shënuar 76-vjetorin e Partisë së Punëtorëve të Koresë Veriore.
“ShBA-ja ka dërguar shpesh sinjale se nuk është armiqësore ndaj vendit tonë, por nuk ekziston asnjë dëshmi e vetme që nuk është armiqësore”, tha politikani famëkeq korean, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkaktim të jostabilitetit në Gadishullin Korean.
Në fotografitë e publikuara nga panari shihet një raketë balistike ndërkontinentale. Analistët besojnë se raketa është e tipit “Hwasong-16” – një ndër raketat balistike më të mëdha në botë, e shfaqur së pari në një paradë ushtarake vitin e kaluar.
Muajin e kaluar, Koreja Veriore pretendoi se ka testuar me sukses një raketë të re hipersonike, të emëruar “Hwasong-8”, por specifikat e saj nuk janë ende të njohura.
Pas testimit, ushtria e Koresë Jugore tha se raketa duket se është në fazën e hershme të zhvillimit dhe se do të nevojitet kohë e konsiderueshme që raketa të jetë në gjendje për t’u përdorur.