Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që ua ndalon të gjithëve, përfshirë kompanitë private, bërjen e vaksinimit të obligueshëm në këtë shtet të ShBA-së.
Politikani që vjen nga radhët e Partisë Republikane, që është në opozitë në pushtetin qendror, është një ndër udhëheqësit më të zëshëm kundër bërjes së vaksinimit kundër Covid-19 të detyrueshëm.
Abbott bëri thirrje që vendimin e tij ta votojnë për ta shndërruar në ligj. “Vaksina për Covid-19 është e sigurt, efektive dhe mbrojtja jonë më e mirë kundër virusit, por ajo duhet të mbetet vullnetare dhe kurrë e detyrueshme”, thuhet në deklaratën e guvernatorit.
Urdhri i tij paraqet kundërshtim të qartë të presidentit demokrat, Joe Biden, i cili muajin e kaluar u bëri thirrje kompanive që vaksinimin ta bëjnë të detyrueshëm për stafin e tyre.
Urdhrat ekzekutiv të shteteve të ShBA-së e bartin forcën e ligjit, por mund të bëhen të pavlefshëm përmes një shqyrtimi gjyqësor, nëse vlerësohen se janë shkelje e ligjeve dhe kodeve shtetërore.