Lidhur me këtë çështje, LDK u shpreh se frikësohet që Qeveria e Kosovës mund të pranojë themelimin e asociacionit, sidomos pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE-ja dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.
“Kjo qeveri po bënë hapa prapa sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, u shpreh anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.
Abazi tha se kjo deklaratë vie pikërisht nga ata që e kanë nënshkruar asociacionin, dhe se është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale.
“Është politikisht e pandershme që gabimet e tyre në të kaluarën të përdoren sot në fushatë elektorale. Po të njëjtit që kanë nënshkruar marrëveshje joevropiane për komandantin serb të policisë në veriun e Kosovës, nënshkruesit e fusnotës dhe ata që dobësuan fuqinë e Kosovës në dialogun me Serbinë, sot për qëllime të ulëta politike të tentojnë të shpërndajnë lajme të rrejshme kundër qeverisë për të krijuar konfuzion dhe për të zbehur arritjen në rastin e targave”, ka shkruar Abazi.
Deklarata e Abazit, bëri që ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryeministri, Isa Mustafa të reagoj përmes një postimi të gjatë në Facebook.
“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa më tej ka thënë se nuk ka dialoguar se e ka dashur Asociacionin, por ka dialoguar për zbatimin e Ligjin për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare në Kuvendin e shtetit tim.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës