Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën në orën 11:00 për të diskutuar për një sërë projektligjesh, si dhe përgatitjet për seancën e re plenare.
Në rendin e ditës do të jetë pika e papërfunduar nga seanca plenare e mbajtur më 22 dhe 28 korrik 2021 – votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.
Kryesia e Kuvendit në rend dite ka edhe përgatitjet për seancë të re plenare, ku do të diskutohen 22 projektligje, si ai për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë.
Po ashtu do të jenë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, shqyrtimi i parë i Projekt-kodit të Procedurës Penale, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbimin mjekësor emergjent, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit etj.