Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar anëtarët dhe përkrahësit e partisë së tij me rastin e 22 vjetorit të themelimit.
Krasniqi tha se për 22 vjet, Partia Demokratike e Kosovës ka bartur mbi vete përgjegjësitë më të mëdha politike për të forcuar demokracinë tonë, shtetin tonë dhe partneritetin me aleatët tanë.
“Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar këtë datë”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se ndonëse të lënduar, janë më unikë e më të vendosur se kurrë, që misionin dhe vizionin për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta shpien aty ku duhet.
Postimi i plotë:
Të nderuar anëtarë, zyrtarë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës,
Të dashur qytetarë,
Krenare për rrugëtimin e saj, për trashëgiminë e saj politike, si bartëse e kauzës së luftës për çlirim, për angazhimin për pavarësi dhe shtetndërtim, Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 22 vjet të themelimit të saj.
Urime të gjithëve!
Pas një sakrifice të madhe gjithëpopullore, ideali i shenjtë për liri dhe lufta jonë çlirimtare si projekt u përmbyllën me sukses, për t’i dhënë mundësi realizimit të lirisë në të gjitha dimensionet e saj, si dhe materializimit të pavarësisë së shtetit tonë.
Kultivimi i lirisë sonë politike e qytetare dhe i shtetit tonë sovran e demokratik ishin themele të kauzës së partisë sonë që në fillet e misionit të saj politik, teksa patriotë, luftëtarë të lirisë, intelektualë, e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës themeluan Partinë Demokratike të Kosovës dhe ecën së bashku në këtë projekt kombëtar.
Udhëheqësit e PDK-së, së bashku me qytetarët e Kosovës, për vite me radhë dhanë kontribut të jashtëzakonshëm, për ta shtruar rrugën e pavarësisë – duke arritur që ta përmbyllin me sukses themelimin e shtetit në vitin 2008.
Atë çfarë PDK-ja dhe njerëzit e saj e kishin mision dhe vizion politik, e manifestuan në ngritjen e shtetit tonë të ri, mbi një themel të fortë, të qëndrueshëm e të pathyeshëm, duke i dhënë shpirt projektit politik të shtetndërtimit.
Tashmë për 22 vjet, Partia Demokratike e Kosovës ka bartur mbi vete përgjegjësitë më të mëdha politike për të forcuar demokracinë tonë, shtetin tonë dhe partneritetin me aleatët tanë.
Gjatë kësaj rruge, PDK-ja ka pasur vështirësi, por shumë më shumë suksese. Ka pasur edhe humbje, por ka arritur shumë fitore.
Por, përkundër të gjithave, PDK-ja nuk është ndalur kurrë dhe s’ka për t’u ndalur kurrë, sepse misioni, angazhimi dhe vlerat politike të saj janë të përbashkëta me aspiratat e qytetarëve të Kosovës.
Krenohemi që së bashku me qytetarët kemi transformuar Kosovën dhe i kemi dhënë jetë mundësive zhvillimore të saj. Dhe, jemi të gatshëm e të motivuar për t’i dhënë Kosovës shumë më shumë se deri më tash.
Në shënimin e këtij përvjetori, Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, pasi që themeluesit dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, për herë të parë nuk janë në mesin tonë për ta shënuar këtë datë. Ata po ballafaqohen me betejën e fundit për dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së pastër për çlirim, nga e cila betejë, jemi të bindur se do të dalin fitimtarë, për t’u kthyer në mesin tonë ashtu siç edhe janë – si heronj.
Ndonëse të lënduar, jemi më unikë e më të vendosur se kurrë, që misionin dhe vizionin tonë për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës ta shpiem aty ku duhet.
Duke u krenuar me të kaluarën tonë dhe me vlerat tona politike në këto 22 vjet, sot ne kemi për mision zhvillimin, mirëqenien dhe krijimin e mundësive të barabarta për qytetarët e Kosovës, veçmas për të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë. Një mision që synon ngritjen e shtetit tonë në rang të barabartë mes vendeve dhe shteteve demokratike. Që kultivon marrëdhënie të qëndrueshme e të përhershme me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera mike. Që ka në fokus zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektivës për zhvillim për çdo qytetar. Që rrugëton e mirëmbahet nga integriteti, meritokracia, ligji e përgjegjësia. Që është adresë prej së cilës, të rinjtë dhe të rejat e Kosovës gjejnë mbështetje për t’i realizuar ambiciet e veta. Mision për qytetarin dhe mirëqenien e tij. Mision për ta parë në vepër çlirimin e potencialit dhe begative që vendi ynë i dashur mund t’ua ofrojë të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës.
Këtë mision do ta përmbushim bashkë, për të sotmen dhe të ardhmen. Bashkë për Kosovën!