Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e frikësuar se Qeveria e Kosovës mund të pranojë themelimin e asociacionit të komunave serbe, sidomos pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga BE-ja dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.
Në partinë opozitare thonë se ekzekutivi po bënë hapa prapa në dialog dhe me këtë qasje po rrezikon krijimin e një entiteti serb me fuqi ekzekutive. Ndërkohë, nga shoqëria civile kërkojnë një konsensus nga mbarë spektri politik për krijimin e një pozicioni të qartë sa i përket asociacionin dhe alternativën e tij.
Lidhur me pretendimet është pyetur Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje. Të pa qasshëm kanë qenë edhe nga Bashkimi Evropian për agjendën e diskutimit të takimit të radhës të dialogut dhe tendencave nga pala serbe për hapjen e kësaj teme.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti thotë se asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.
“Kjo qeveri po bënë hapa prapa sepse thoshte se marrëveshjet e kaluara nuk janë të mira, do t’i rishqyrtonte, tash po i realizon dhe madje po bënë hapa prapa. Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai.
Pretendimet e opozitës se marrëveshja për targat është hap para drejt themelimit të asociacionit, njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu i sheh si të hershme, pasi sipas tij kërkesat e Serbisë dhe BE-së për implementimi e marrëveshjes për asociacionin nuk janë të reja.
“Sa i përket akuzave për themelimin e ndonjë asociacioni si derivat i marrëveshjes (për targat) nuk duam të paragjykojmë. Mendojmë se është ende herët dhe procesi dialogues po vazhdon dhe kërkesa për Asociacion nuk është e re, kjo kërkesë është tash e disa vite nga Serbia si palë kundër dialoguese, po ashtu shpesh herë në të kaluarën edhe Bashkimi Evropian ka përmendur si një marrëveshje që duhet të implementohet”, thotë Fetahu.
Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike kërkon nga Qeveria dhe gjithë spektri politik të kenë një konsensus për krijimin e një pozicioni karshi kërkesave për themelimin e asociacionin.
“Kosovës, Qeverisë dhe gjithë spektrit politik i duhet një kristalizim i pozicionit karshi asociacionit. Kemi një qëndrim që nuk duhet të themelohet me kompetenca ekzekutive që është i papranueshëm, por kjo nuk mjafton kur t’i ulesh në tavolinën e negociatave. Besoj se Kosova duhet të ketë një alternativ kundër asociacionit, në kuptimin që të ketë alternativ çka pas asociacionit, cila është dalja nga ky udhëkryq dhe mos implementimi i kompetencave ekzekutive, pse duhet të merret për bazë Kushtetuta e Kosovës dhe cilat janë ato klauzola që janë respektuar më herët. Ndoshta të shkojë me një alternativë me një kundërpeshë me përmendjen edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës që të drejtat e tyre të jenë të niveluara me serbët lokal në Kosovë. Një gjë e tillë është bërë në raundet e diskutimit, kjo duhet të fuqizohet”, shton Fetahu.
Pas arritjes së marrëveshjes për targat e automjeteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, BE-ja përmes një komunikate për medie ka kërkuar edhe implementimin e marrëveshjes së vitit 2015, me theks të veçantë të asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Ndërsa, pala serbe ka thënë se asociacioni duhet të jetë tema e parë për diskutim në takimin e radhës të dialogut.
Kryeministri Kurti muaj më parë ka propozuar themelimin e këshillit nacional të pakicave, si kundërvlerë të asociacionit, mirëpo një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia. Kreu qeveritar vazhdimisht ka përsëritur se asociacion një etnik nuk do të ketë një Kosovë.