Abdolhassan Bani-Sadr, i cili ishte bërë presidenti i parë i Iranit pas revolucionit islamik të vitit 1979 para se të largohej në ekzil në Francë, vdiq të shtunën në moshën 88-vjeçare.
Ai vdiq në spitalin “Pitie-Salpetriere” në Paris pas një sëmundjeje të gjatë, njoftuan në uebfaqen zyrtare bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Bani-Sadr nga një figurë e panjohur ishte bërë presidenti i parë i Iranit në janar të vitit 1980 me ndihmën e klerit islam, shkruan Reuters.
Por pas një lufte për pushtet me klerikët radikalë, ai u largua nga Irani një vit më pas për të shkuar në Francë, ku e kaloi pjesën e mbetur të jetës.
Asistenti i tij i vjetër, Paknejad Jamaledin, i tha agjencisë “Reuters” përmes telefonit se familja e ish-presidentit do të donte që ai të varroset në Versajë, ku edhe jetoi gjatë kohës në ekzil.
Në një intervistë të dhënë më 2019 për këtë agjenci, ish-presidenti iranian deklaroi se Ayatollah Khomeini i ka tradhtuar parimet e revolucionit pas ardhjes në pushtet.