Policia gjermane është duke hetuar një sulm të pretenduar me armë sonike – armë që përdorin valë të posaçme zanore – kundër stafit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Berlin. Ky është rasti më i ri i një vargu incidentesh të sindromit Havana përreth botës.
Deklarata e policisë, në të cilën thuhet se hetimet kanë nisur që nga muaji gusht, u lëshua të premten si reagim ndaj një raportimi në revistën e njohur gjermane, “Der Spiegel”, ku thuhet se hetimi për së paku dy raste është hapur duke u mbështetur në dëshmitë e dorëzuara nga ambasada amerikane.
Të prekurit kanë qenë kryesisht diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës nga ShBA-ja, ndonëse edhe Kanadaja ka raportuar raste në ambasadën e vet në Havana, shkruan The Guardian.
Autoritetet austriake gjithashtu kanë thënë se janë duke punuar ne ShBA-në për t’i hetuar disa raste në mesin e stafit të ambasadës amerikane në Vjenë.
Në mesin e simptomave përfshihen marramendja dhe ndjenja e të vjellurit në aspektin afatshkurtër si dhe migrena e humbja e kujtesës në aspektin afatgjatë.
Agjencia Qendrore e Inteligjencës – CIA, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni janë duke kryer hetime rreth këtyre rasteve. Raportohet se rreth 100 oficerë të CIA-s janë të prekur nga sindromi Havana.