Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kriza energjetike në Evropë pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë.
Rizvanolli duke folur në një intervistë për Telegrafin, ka shtuar se qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve.
“Çmimet e energjisë elektrike për një Megavat për orë prej 60 euro sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë kanë arritur në mbi 100 euro dhe çmimet për sot kanë arritur në mbi 200 euro, pra po flasim për shtrenjtim të çmimeve katërfish në Evropë, e cila vjen si pasojë e rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë. Hipoteza është për të bërë presion për lëshimin e gazsjellësit ‘Nord Stream II’, mirëpo sido që të jetë është një krizë e thellë energjetike që pritet të thellohet edhe më tej gjatë muajve në vijim”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo thekson se Kosova nuk është i izoluar nga ndikimi i çmimeve dhe se sipas saj, kjo krizë në një masë pritet të ketë ndikim edhe në vendin tonë.
“Në një masë pritet që të ketë ndikim në Kosovë, ngase vendi ynë nuk është komplet i izoluar, mirëpo ne këtu e kemi fatin që në masë të madhe bazohemi në kapacitet tona gjeneruese këto me thëngjill që i kemi, e që janë ndotëse e janë shumë të këqija për shumë arsye, mirëpo këto na lejojnë neve siguri të furnizimit me energji elektrike dhe me një çmim të përballueshëm për konsumatorët”, thekson ajo.
Sipas ministres Rizvanolli, me ardhjen e sezonit të dimrit, qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për rritje eventuale të çmimeve.
“Tregu në Kosovë është i rregulluar dhe çmimi i energjisë elektrike për konsumatorë është i rregulluar. Megjithatë, qytetarët duhet të janë të përgatitur për probleme eventuale të sezonit së dimrit kur kërkesa dhe çmimet rriten”, ka përfunduar ajo.