Në mbledhjen e sotme të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radio Televizionit të Kosovës, është thënë se personat të cilët janë në pension nuk mund të jenë pjesë e bordit dhe nuk do të ftohen për intervistim e janë dhjetë të tillë që kanë aplikuar.
Gjithashtu komisioni ka kërkuar nga administrata që t’u dërgohet edhe nga një shkresë kandidatëve përmes së cilës do të qartësohet nëse ka ndonjë rast që përben konflikt interesi. Ndërsa mënyra e intervistimit do të përcaktohet në mbledhjen e ardhshme e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka propozuar që kandidatët të pyetën nga administrata nëse bien ndesh me nenin 27, në mënyrë që të sqarohet nëse ndonjëri aplikant është pronar apo bashkëpronar i mediave transmetuese apo ka ndonjë anëtar të ngushtë të familjes në staf menaxhues.
“Në bazë të nenit 27, disa prej tyre e kanë të pamundur për me qenë anëtar të bordit, sinqerisht e di që do të jetë goxha sfiduese në veçanti për pikën 1.6, 1.8 të nenit 27 kur duhet të përcaktohet nëse ka prej tyre të cilët kanë aplikuar dhe që janë pronarë apo bashkëpronarë të mediave transmetuese apo bizneseve, mandej edhe neni 1.1 për anëtar të familjes së ngushtë që janë në stafin menaxheues, prandaj për me ruajt këtë parimin e transparencës unë po shpresoj që do ta kemi edhe një tabelë tjetër prej administratës për secilin kandidat që tregojnë se si qëndrojnë në raport me nenin 27 dhe me të gjitha nenet e tjera”, ka thënë ai.
Me këtë është pajtuar edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ku sipas saj në këtë mënyrë mund të vazhdohet tutje me procesin.
“Pajtohem me propozimin e Fitimit, le të shkojë një njoftim për të gjithë kandidatët dhe që të njoftohen, të kthejnë përgjigje në këtë drejtim dhe ne pastaj mundemi dhe e kemi shumë më lehtë të ecim përpara. Mendoj që kur të del ftesa për aplikim për bordin, duhet të gjithë të jenë të njoftuar që në bazë të një dokumenti të caktuar, secili që është i pensionuar nuk mund të aplikojë. Pse të maltretohen njerëzit që të aplikojnë pa i njoftuar me kohë dhe pastaj të ndikohet në komplet procesin”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit.
Por sipas kryetarit të këtij komisioni, Armend Zemaj, ekzistojnë dokumentet që përcaktojnë qartë këto çështje.
“Janë dy dokumente bazike para se të aplikojnë ata të cilët janë të njoftuar. E para ka të bëjë që ju e deklaruat dhe e kërkuat – si të aplikohet për anëtar të bordit të RTK-së. Të gjitha pozicionet që i përmendet të një kandidati janë të paralajmëruar paraprakisht, e dyta që është më konkrete dhe më koncize është formulari i deklaratës së të vet-nominuarit ku pjesa e fundit thotë ‘unë jam plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e nenit 27 të ligjit dhe deklaroj se nuk ka pengesa ligjore për emërimin tim për anëtar të bordit të RTK-së. Tash me thënë të drejtën nuk mund t’ua ndjekim tezet e dajat nëpër RTK ose ndërmarrje të tjera, ata që fshehin bien ndesh me ligjin, besoj që janë të vetëdijshëm e paskan nënshkruar vetë këtë pjesë ligjore”, ka thënë Zemaj.
Deputetët janë marrë vesh që javën e ardhshme të vendosin për mënyrën dhe kohën e intervistimit të kandidatëve, ndërsa deputeti Armend Muja ka propozuar që të ndiqet modeli britanik.
“Ne na duhet një grup i vogël punues që mund të përcaktohet për testin me shkrim dhe gojë. Unë propozoj fuqimisht që të bazohemi në praktikat ku ka konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare – modeli që përdorin britanikët. Është mirë që deri në mbledhjen e ardhshme një grup më i vogël punues t’i shqyrtoj ato t’i diskutoj dhe pastaj t’i modifikoj sipas nevojave që i kemi këtu”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti Mërgim Lushtaku ka propozuar që fillimisht të ketë një test më shkrim në mënyrë që të përzgjidhen personat që do të bëhet kualifikimi për testin intervistim.
“Çështja si do të zhvillojmë intervistimit, a do të kemi ndonjë test paraprakisht, meqenëse është numër jashtëzakonisht i madh i aplikantëve, sigurisht që për mendimin tim është mirë të bëhet një lloj testi paraprakisht me shkrim që të kemi një lloj kualifikimi në mesin e atyre aplikantëve të cilët e kalojnë testin dhe pastaj t’i marrim në intervistim, sepse është numër shumë i madh dhe ne nuk kemi mundësi për t’i zhvilluar ndoshta në aspektin kualitativ intervistat me të gjithë njëjtë, sepse është numër shumë i madh”, ka propozuar Lushtaku.
Kryetari i komisionit, Armend Zemaj ka thënë se do të diskutojnë me të gjithë deputetët e komisionit për mënyrën dhe procesin e intervistimit.
“Administratë, ju kisha lutë një interpretim ligjor për udhëheqësit e divizioneve, a janë zyrtarë të lartë publik dhe a bien ndesh me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit nga zyra ligjore, jo më larg se të mërkurën nga sot, e dyta, letra dërguar të gjithë të nominuarve, të cilët i kanë përmbush, përveç atyre që janë të pensionimit sepse ata janë me certifikatë, kërkojmë falje nga ta, respekt për moshën dhe pjesën profesionale, e pash që disa nga ta janë emra eminentë që do t’i bënin nder edhe Kuvendit besoj edhe RTK-së por ligji është ligj, nuk mund ta tejkalojmë këtë pjesë”, ka thënë Zemaj.
Bordi i RTK-së është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik të këtij viti, ndërsa bordi i ri duhet të jetë funksional më së largu deri më 15 dhjetor 2021.